Hapet ekspozita udhëtuese “Gustav Klimt - Pionier i Modernizmit" në Departamentin e Gjuhës dhe të Letërsisë Gjermane

14 Dhjetor 2022
SHARE

Në Departamentin e Gjuhës dhe të Letërsisë Gjermane të Fakultetit të Filologjisë, Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, më 14. dhjetor 2022, u hap ekspozita udhëtuese “Gustav Klimt - Pionier i Modernizmit". Ekspozita organizohet nga Ambasada e Austrisë në Prishtinë, në bashkëpunim me lektoratin e OeAD-së Prishtinë dhe Departamentin e Gjuhës dhe të Letërsisë Gjermane. Të pranishmit i përshëndeti shefja e Departamentit, prof. Teuta Abrashi. Ajo shprehu mirënjohje për bashkëpunimin me Ambasadën e Austrisë, përmes së cilës mundësohet organizimi i aktiviteteve të shumta ekstrakurrikulare që ndërlidhen me temat e trajtuara në kuadër të studimeve të gjermanistikës.

Sekretari i parë i Ambasadës së Austrisë, Dr. Martin Schaller shprehu falenderime për bashkëpunimin me universitetin për të organizuar aktivitete të shumta kulturore. Kjo është ekspozita e dytë që vihet në dispozicion nga Ministria Austriake për çështje europiane dhe ndërkombëtare. Kjo formë bashkëpunimi do të vazhdojë edhe në të ardhmen.

Në fjalën e saj hapëse, lektorja e OeAD Verena Walzl theksoi: „Tek Klimti shohim kalimin nga historicizmi në modernizëm. Kalimi nga e vjetra në diçka të re, nga e ligjshme në të hapur. Themelimi i rëndësishëm i Secesionit të Vjenës, domethënë ndarja e shoqatës ekzistuese të artistëve, të cilën ai e kryesoi si presidenti i parë i saj, ishte themelor për zhvillimin e modernizmit në Vjenë. Pikturat e tij ende u flasin shumë njerëzve sot dhe tregojnë se si rimendimi dhe rikrijimi mund të ndryshojnë gjërat në shoqëri dhe art - kjo është arsyeja pse nuk ka vend më të mirë për këtë ekspozitë sesa universiteti, ku ne përpiqemi t‘ua mësojmë studentëve të menduarit kritik.“

Ekspozita do të qëndrojë e hapur dhe mund të vizitohet çdo ditë gjatë orarit të punës.