Departamenti i Gjuhës dhe i Letërsisë gjermane prej 04 deri 06 maj 2023 organizon Konferencën e katërmbëdhjetë ndërkombëtare të Gjermanistëve të Evropës juglindore

28 Prill 2023
SHARE

Departamenti i Gjuhës dhe Letërsisë Gjermane prej datës 04 deri 06 maj 2023 do ta organizojë konferencën ndërkombëtare me temën “Framing - Beziehung zwischen Sprache und Wirklichkeit II in der deutschen Sprache, der deutschsprachigen Literatur, Media, Kultur, DaF-Didaktik und  Translatologie“ (“Framing -  raporti mes gjuhës dhe realitetit II në gjuhën gjermane, në letërsinë gjermane, në media,  në kulturën, në didaktikën e gjermanishtes si gjuhë e huaj dhe në translatologji”). Konferenca organizohet në bashkëpunim me Shoqatën e Gjermanistëve të Evropës Juglindore (Südosteuropäischer Germanistenverband – SOEGV) dhe me përkrahje të Fakultetit të Filologjisë. Kjo konferencë vjetore organizohet që nga viti 2007 me rotacion në vende të ndryshme të Evropës juglindore. Universiteti i Prishtinës është nikoqir i kësaj konference për herë të dytë. Herën e parë kjo konferencë u mbajt te ne në vitin 2013.  Pjesëmarrës në konferencën e sivetmje do të jenë 61 vetë nga 14 vende të Evropës, të cilët do të paraqiten me  kumtesat e tyre në konferencë. Pjesëmarrësit janë nga Austria, Bosnja dhe Hercegovina, Çekia, Gjermania, Irlanda, Italia, Kroacia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Serbia, Sllovakia, Sllovenia, Shqipëria dhe Kosova. Financuesi kryesor është DAAD, por edhe Fakulteti i Filologjisë e përkrahë financiarisht konferencën.

Organizimi i kësaj konference sivjet përkon edhe me 30-të vjetorin e themelimit të Departamentit të Gjuhës dhe Letërsisë gjermane në Universitetin e Prishtinës. Ky departament është themeluar në vitin akademik 1992-1993 në kushte shume të vështira të asaj kohe, kur Universitetit të Prishtinës iu pamundësua mbajtja e mësimit në objektet e tij.

E veçantë këtë vit është se njëkohësisht me hapjen e konferencës ndërkombëtare të Gjermanistëve të Evropës juglindore do të bëhet edhe hapja e Ditëve të gjuhës gjermane, pasi kjo konferencë e Departamentit të Gjuhës dhe Letërsisë gjermane është vlerësuar si ngjarja më e rëndësishme në kuadër të aktivitetit të “Ditëve të gjuhës gjermane”. Në muajin maj në Kosovë çdo vit organizohen “Ditët e gjuhës gjermane”, aktivitet ky që organizohet nga ambasadat gjermanishtfolëse në Kosovë, nga UP, UPZ e institucione e organizata të tjera që janë të lidhura me gjuhën gjermane.