UP-ja dhe Akademia e Studimeve Albanologjike e Shqipërisë nisin bashkëpunimin në fushën e albanologjisë

14 Prill 2023
SHARE

Universiteti i Prishtinës dhe Akademia e Studimeve Albanologjike kanë nënshkruar sot marrëveshje për bashkëpunim në fushën e arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor.

Sipas të dy partnerëve, transmetimi i dijes te brezat e rinj, në fushat e albanologjisë, duhet të shndërrohet në një strategji për të dyja institucionet, me qellim edhe përditësimin dhe pasurimin me teza të reja të dijes albanologjike.

Ky dokument u firmos nga rektori i UP-së, Qerim Qerimi, dhe rektori i ASU-së, Luan Përrzhita. Të dy rektorët u shprehen optimistë për mundësitë që i sjell ky partneritet. Rektori Qerimi konfirmoi vullnetin e Universitetit te Prishtinës, për të punuar së bashku, në projekte konkrete për avancim të albanologjisë. Ndërkaq, rektori Përrzhita tha se të dyja institucionet, së bashku, do të mundësojnë realizimin e gjerave të mëdha.

Me anë të kësaj marrëveshjeje, ndër të tjerash, parashihet: Krijimi i grupeve të punës për hartimin e projekteve strategjike të përbashkëta në fushën e albanologjisë – përkatësisht në fushën e arkeologjisë, antropologjisë social-kulturore, historisë dhe gjuhësisë, ndërtimi i programeve të përbashkëta në studimet master dhe doktoratë në fushën e albanologjisë, krijimin e një platforme të përbashkët për shkëmbimin e stafit akademik, si dhe realizimin e projekteve hulumtuese të përbashkëta për trashëgiminë kulturore në Kosovë dhe Shqipëri.