Ambasadorët e tri vendeve gjermanishtfolëse zhvilluan një bashkëbisedim me studentët e Departamentit të Gjuhës dhe të Letërsisë Gjermane në kuadër të “Ditëve të gjuhës gjermane”

11 Maj 2022
SHARE

Z. Jörn Rohde, ambasador i Gjermanisë, z. Christoph Weidinger, ambasador i Austrisë dhe znj. Pauline Menthonnex Gacaferri, zëvendësambasadore e Zvicrës në Kosovë, vizituan më 10.05.2022 Departamentin e Gjuhës dhe të Letërsisë Gjermane. Ata zhvilluan një bashkëbisedim me studentët e këtij departamenti, gjatë të cilit u diskutua për perspektivën e tyre, për potencialin ekonomik, për mundësitë e zhvillimit të arsimit në Kosovë etj. Studentët shprehën mirënjohjen e tyre për përkrahjen që japin të tri shtetet përmes projekteve të shumta dhe përmes programeve të bursave që u mundësojnë atyre qëndrime në universitetet në hapësirën gjermanishtfolëse. Pastaj u vizitua ekspozita për shkrimtaren Ilse Aichinger, e cila po qëndron e hapur në hapësirat e Departamentit të Gjermanistikës dhe Biblioteka Austriake, e cila pajiset me literaturë përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme të Austrisë.  Kjo vizitë  e përfaqësuesve të tri ambasadave gjermanishtfolëse në Kosovë u realizua në kuadër të aktiviteteve të shumta të Ditëve të gjuhës gjermane (Tage der deutschen Sprache), të cilat kanë filluar me 08 maj dhe do të vazhdojnë deri me 20 maj 2022.

Takimi vazhdoi me ceremoninë e ndarjes së bursave të DAAD-it për studentët kosovarë që do të qëndrojnë në universitetet gjermane për studimet master ose PhD. Ndarja e bursave u bë edhe në praninë e Rektorit të UP-së, Prof. Dr. Naser Sahiti dhe të Prorektores për bashkëpunim ndërkombëtar, Prof. Asoc. Dr. Albulena Blakaj-Gashi. Me këtë rast ambasadori gjerman z. Rohde dhe Rektori i UP-së z. Sahiti i përgëzuan studentët përfitues të bursave dhe ju uruan shumë suksese në rrugëtimin e tyre akademik.