Inaugurimi i Sallës së Gjermanishtes “Deutschraum” dhe prezantimi i programit MA “Gjermanishtja si gjuhë e huaj” në Fakultetin e Filologjisë Universitetin e Prishtinës

17 Qershor 2021
SHARE

Në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” sot, më 16.06.2021, solemnisht u inaugurua Salla e gjermanishtes së Departamentit të Gjuhës dhe të Letërsisë Gjermane nga Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, znj. Arbërie Nagavci, Zëvendësambasadori gjerman Jan-Axel Voss, Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” Prof. Dr. Naser Sahiti. Njëkohësisht u prezantua edhe programi i ri i studimeve të nivelit MA “Gjermanishtja si gjuhë e huaj”, i cili do të nis në vitin akademik 2021/22. Me këtë rast, Ministrja e Arsimit, zonja Nagavci tha: “Departamenti i Gjuhës dhe Letërsisë Gjermane pranë Fakultetit të Filologjisë të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” në përgjithësi, ka qenë bartës i kulturës sonë dhe urë lidhëse me miqtë tanë ndërkombëtarë. Më vjen shumë mirë që këtu do të prezantohet edhe programi i ri master "Gjermanishtja si gjuhë e huaj". Më lejoni të ju njoftoj se një nga çështjet parësore ku do të përqendrohet vëmendja e qeverisë sonë është mirëqenia dhe ofrimi i mundësive për avancimin e rinisë sonë.”  Mirëseardhje në këtë aktivitet të rëndësishëm të pranishmeve u uroi rektori i UP-së, prof. dr. Naser Sahiti. “Inaugurimi i kësaj salle ia shton edhe më tepër vlerën Departamentit të Gjuhës dhe Letërsisë Gjermane në UP, i cili edhe tani vlerësohet si një departament shumë i rëndësishëm, nga i cili dalin pjesa dërrmuese e studiuesve të gjuhës dhe letërsisë gjermane në vendin tonë”, theksoi rektori Sahiti. Ai shtoi që programi i ri i studimeve në master është një pasuri tjetër që po i shtohet këtij departamenti, për realizimin e të cilit i falënderoi partnerët dhe stafin e departamentit.  Përurimin e sallës dhe prezantimin e programit të ri studimor e përshëndetën edhe zëvendësambasadori i Gjermanisë në Kosovë, z. Jan Axel – Voss, i cili theksoi: „Interesimi për gjuhën gjermane në Kosovë është edhe më tej i madh. Gëzohem që kemi mundësinë ta prezantojmë Sallën e re të gjermanishtes dhe programin e ri të studimeve master në kuadër të organizimit të sivjetshëm Ditët e gjuhës gjermane. Edhe falë mbështetjes së ofruar nga Goethe-Institut këtu mësimdhënëset dhe mësimdhënësit e ardhshëm të gjermanishtes në Kosovë do të marrin një arsimim të shkëlqyeshëm.“ Ndërsa udhëheqësja e Institutit Goethe në Shkup, znj. Tanja Krüger, dhe udhëheqësi i njësisë së gjuhëve në IG Shkup, z. Falk Schleicher, theksuan se salla e gjermanishtes është renovuar me mbështetje të Institutit Goethe dhe është pajisur me teknologjinë dhe literaturën më moderne. Në kuadër të këtij bashkëpunimi tashmë janë realizuar shumë trajnime për stafin e Departamentit të Gjermanistikës. Të pranishëm në këtë solemnitet ishin edhe përfaqësues nga Ambasada e Austrisë, Ambasada e Zvicrës, Dekanati i Fakultetit të Filologjisë, mësimdhënësit dhe studentët e Departamentit të Gjuhës dhe Letërsisë Gjermane.

Programi njëvjeçar master “Gjermanishtja si gjuhë e huaj” është iniciuar si nevojë e tregut të punës për studiues të gjuhës gjermane si gjuhë e dytë. Gjatë realizimit të këtij programi Departamenti i Gjuhës dhe i Letërsisë Gjermane është përkrahur nga Instituti Goethe. Qëllimi i këtij programi studimor është aftësimi i studentëve në rrafshin profesional didaktik. Pas përfundimit të këtij programi, studentët përgatitën për karrierë të avancuar akademike dhe profesionale, përmes një planprogrami të specializuar në fushën e metodikës dhe didaktikës, kulturës, gjuhësisë aplikative, si dhe fushave të tjera të ndërlidhura me gjermanishten si gjuhë e huaj.