Njoftim

05 Dhjetor 2023
SHARE

Departamenti i Gjuhës dhe Letërsisë Gjermane në bashkëpunim me Ambasadën e Austrisë në Kosovë dhe me lektoratin e OeAD hapën sot ekspozitën me rastin e 50-vjetorit të vdekjes së shkrimtares austriake Ingeborg Bachmann, kuruar nga Hans Höller dhe Erika Thümmel “Schreiben gegen den Krieg: Ingeborg Bachmann 1926-1973” (“Të shkruarit kundër luftës: Ingeborg Bachmann 1926-1973”). Ekspozita vendos në qendër të vëmendjes angazhimin e saj të vazhdueshëm me temën e luftës dhe të gjuhës/shkrimit pas Shoah-së, reflektimet e saj për trajtimin e traditës letrare pas Luftës Botërore dhe angazhimin e saj politik kundër luftës dhe armatimit bërthamor. Dokumentet origjinale audio janë të disponueshme në 3 stacione dëgjimi (përmes kodeve QR): incizime nga vetë Ingeborg Bachmann (poezi, "Leksionet e Frankfurtit" dhe fragmente nga "Malina").

Pas hapjes së ekspozitës, gjermanistja Franziska Przechatzky nga Universiteti i Vjenës mbajti ligjëratën "Bachmann reloaded: kontalacionet queer në “Ein Schritt nach Gomorrah” (1961)”, e cila trajtoi strategjtë poetologjike për të treguar historinë e të pathënës në një periudhë kohore kur homoseksualiteti femëror ishte vështirë të trajtohej. Ligjërata u pasua nga pyetje të shumta nga studentët.

Pasditja kushtuar shkrimtares Ingeborg Bachmann përfundoi me shfaqjen e filmit “Die Geträmten”, filmim i korrespondencës midis Ingeborg Bachmann dhe Paul Celan.