Universiteti i Prishtinës sot ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me Organizatën Ndërkombëtare për Migrim (IOM).
Marrëveshja përcakton konditat e bashkëpunimit ndërmjet UP-së dhe IOM-it në institucionalizimin e mësimit të gjuhëve zyrtare në Kosovë, përmes themelimit dhe funksionalizimit të Qendrës së Gjuhëve dhe Departamentit të Ballkanistikës në kuadër të Fakultetit të Filologjisë.
Memorandumi u nënshkrua nga prof. Arta Basha-Jakupi dhe shefja e Misionit të IOM-it, Anna Rostocka.
Gjatë takimit, prorektorja Basha theksoi që UP-ja është e gatshme që të punojë me seriozitet në implementimin e pikave të këtij memorandumi.
Kurse shefja e Misionit të IOM-it, Rostocka, falënderoi të gjithë ata që kanë punuar në inicimin e këtij bashkëpunimi, teksa foli me entuziazëm për nisjen e këtij partneriteti me UP-në.
Në ceremoninë e nënshkrimit ishte e pranishme edhe prorektorja për zhvillim, buxhet, financa dhe bashkëpunim me sektorin privat, prof. Pranvera Breznica-Selmani si dhe përfaqësues të tjerë nga IOM.
Po ashtu, ky bashkëpunim parasheh mbledhjen dhe shkëmbimin e të dhënave në fushat e ndërlidhura me kompetencat e IOM-it, duke hulumtuar dhe krijuar mundësi për bashkëpunim në fusha të tjera që vlerësohen si relevante nga të dyja palët.