Universiteti i Tiranës i dha titullin "Doctor Honoris Causa" akademik prof.dr. Rexhep Ismajlit “për kontribut të shquar në fushën e studimeve të shqipes së sotme, historisë së saj, marrëdhënieve me gjuhët ballkanike, studimeve gjuhësore në gjuhësi të përgjithshm dhe filologji”. Ceremonia e dhënies së titullit për akademik Rexhep Ismajlin u mbajt dje, më 23.11.2023, në Universitetin e Tiranës. Ceremoninë solemne e hapi Rektori i UT-së prof. dr. Artan Hoxha, i cili e vlerësoi shumë lart personalitetin e profesor Ismajlit. Relacionet për jetën dhe veprën e akademik Ismajlit i paraqitën relatorët prof. dr. Shezai Rrokaj dhe prof. dr. Seit Mansaku. Në relacionet e tyre ata e theksuan veprimtarinë e gjerë shkencore e akademike të prof. dr. Rexhep Ismajlit në fushën e historisë së gjuhës shqipe, të dialektologjisë, të sociolinguistikës, të gjuhësisë së tekstit etj, duke sjellë në gjuhësinë dhe kulturën shqiptare ide dhe koncepte të gjuhësisë moderne.
Në relacionin e tij, prof.dr. Mansaku, ndër tjerash i përmendi arritjet e spikatura të akademik, profesor Rexhep Ismajlit në fushën e studimeve gjuhësore teorike, të gjuhësisë së përgjithshme, të historisë së gjuhësisë si dhe të filologjisë; ndihmesën e vyer që akademik Ismajli ka dhënë në përgatitjen dhe nxjerrjen në dritë të shumë veprave të studiuesve të trashëgimisë sonë gjuhësore në trevat shqiptare si dhe të albanologëve të mëdhenj me kontribute të rëndësishme për studimin e shqipes. Ai tha se profesor Ismajli është “ndër kontribuesit kryesorë për ngritjen e institucioneve akademike e universitare të Kosovës”, si dhe theksoi ndihmesën e spikatur në krijimin e brezave të studiuesve të rinj.
Akademik Ismajli është poashtu anëtar i Akademisë Evropiane të Shkencave dhe Arteve dhe i Akademisë Amerikane të Arteve dhe Shkencave.
Nderimi me këtë titull për prof. dr. Rexhep Ismajlin është më se i merituar i bën nder të madh edhe Fakultetit të Filologjisë.