Në Fakultetin e Filologjisë u mbajt Konferenca shkencore “Trashëgimia mistike në Kosovë”

10 Nëntor 2023
SHARE

Dje, më datën 9 nëntor 2023 në Fakultetin e Filologjisë në Universitetin e Prishtinës i zhvilloi punimet konferenca shkencore “Trashëgimia mistike në Kosovë” e organizuar nga Departamenti i Orientalistikës.

Në konferencë me kumtesa shkencore u paraqitën pesëmbëdhjetë studiues nga Kosova dhe rajoni, të cilët diskutuan në lidhje me trashëgiminë mistike islame në Kosovë.

Konferenca u hap me një fjalim të udhëheqësit të Departamentit të Orientalistikës, Abdulla Rexhepi i cili foli rreth rëndësisë së studimit të kulturës mistike islame në Kosovë dhe për synimet e kësaj konference. Ndër të tjera ai shtoi: “Mësimet dhe qasjet plurale dhe universale të tarikateve kanë dhënë një kontribut të dukshëm edhe në bashkjetesën dhe ruajtjen e stablitetit dhe paqes në mes pjesëtarëve të feve dhe kombësive të ndryshme në rajon dhe Kosovë.” Në vazhdim, të pranishmit i përshëndeti edhe dekania e Fakultetit të Filologjisë, prof. dr. Lindita Rugova, e cila foli për nevojën e studimeve të trashëgimisë kulturore mistike në Kosovë. Prof. Lindita Rugova, pasi i uroi mirëserdhje mysafirëve, tha se besoj se prurujet e kësaj konference shkencore që po organizohet në Fakultetin tonë do të ndriçojnë sadopak trashëgiminë mistike në Kosovë.

Më pastaj, konferenca i vazhdoi punimet në dy seanca të ndara, në të cilat u trajtuan dimensione të ndryshme të kulturës mistike islame në Kosovë.

Studiuesit prezantuan temat vijuese:

Metin Izeti: Tesavvufi në Kosovë ndërmjet traditës dhe perspektivës

Lulzim Shehu: Bashkësia e Tarikateve, ruajtëse e jetës mistike-islame në Kosovë

Alban Dobruna: Tarikati Islam Halveti në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare

Parim Kosova: Tarikatet dhe teqet e qytetit të Prizrenit

Krenar Doli: Ndikimi i muzikës sufiste në muzikën qytetare shqiptare: Rasti i Gjakovës

Fahredin Shehu: Dialektika e dashurisë në praktikën e Ziqrit në Kosovë

Zymer Ramadani: Elementet misitike në poezinë e Miraxhit të Mehmet Salihut

Abdulla Hamiti: Tradita e hershme letrare mistike në Kosovë: Suzi dhe Shem’i nga Prizreni

Nuran Malta Muhaxheri: Mistikja dhe letrarja në veprën e Ymer Lutfi Paçarizit

Zekije Xhafçe: Rizbulimi i dorëshkrimit të Sheh Malës dhe përkthimi i Varidatit

Jahja Hondozi: Risalet e Sheh Maliqit, trajtim gjuhësor – tematik

Fahri Avdija: Trashëgimia mistike e Shejh Selim “Sami” Drejtës

Leonora Hajra: Antropologjia mistike si substrat i modelimit letrar në prozën e Teki Dervishit

Shkemb Nivokazi: Shejh Adem Nuri Gjakova dhe vepra e tij “Rehber”

Abdulla Rexhepi: Arketipi i dervishit në letërsinë popullore shqipe

Në mbyllje të konferencës, prof. dr. Metin Izeti, konferencën e konsideroi të suksesshme dhe me prurje të rëndësishme, dhe shtoi se këto studime do të shërbëjnë për zbardhjen e trashëgimisë mistike islame në Kosovë dhe më gjerë.

Duhet theksuar se konferenca ka qenë pjesë e projektit shkencor “Trashëgimia mistike në Kosovë: -Rendet, teqet, idetë, besimet, ritualet – i mbështetur nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Informacionit e Republikës së Kosovës.