Universiteti i Prishtinës dhe Instituti Goethe në Shkup nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi për arsimimin dhe trajnimin e mësimdhënësve të gjuhës gjermane dhe për promovimin e gjuhës gjermane në Kosovë.
Marrëveshja e bashkëpunimit do t'u mundësojë të bashkëpunojnë në fushat e përmisimit të aftësive të gjuhës gjermane të studentëve të gjuhës gjermane, aktivizimit të lëndës gjermane si gjuhë e huaj në Kosovë, arsimimit dhe trajnimit të mësimëdhënësve të gjermanishtës në Kosovë dhe zhvillimit të programeve për trajnimin e multiplikatorëve me kompetencë të lartë gjuhësore dhe ndërkulturore për të thelluar më tej bashkëpunimin mes dy institucioneve.
Nënshkrimi i marrëveshjes nga Universiteti i Prishtinës është bërë nga rektori Qerim Qerimi. Ndërsa nga Instituti Goethe është nënshkruar nga udhëheqësja e institutit, znj. Catherine Oswald-Richter.
Me rastin e nënshkrimit të marrëveshjes, rektori Qerim Qerimi nënvizoi prezencën e theksuar të Gjermanisë në Kosovë, duke vënë në dukje veçanërisht departamentin e Gjuhës Gjermane në Fakultetin Filologjik (UP), i cili tani qëndron si departamenti i dytë më i madh brenda fakultetit. Rektori shprehu mirënjohjen për mbështetjen e marrë dhe zhvillimin e mëtejshëm të saj në bashkëpunim me Institutin Goethe. Më tej, rektori Qerimi vuri në pah shkollën verore “DAAD”, e cila u zhvillua në Fakultetin Filologjik pranë departamentit të Gjuhës Gjermane dhe e cila bashkoi studentë nga Gjermania dhe Kosova.
Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, z. Jorn Rohde, e theksoi nënshkrimin si një rast të rëndësishëm për të festuar marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve. Ambasadori Rohde nënvizoi rëndësinë e Javës Gjermane në Kosovë, e cila ka shërbyer si një platformë për një eksplorim më të thellë të gjuhës dhe kulturës gjermane.
Gjithashtu, udhëheqësja e Institutit Goethe, znj. Katrin Oswald-Richter, shprehu vlerësimin e saj për marrëveshjen dhe mundësitë që ajo sjell për të nxitur bashkëpunimin. Znj. Oswald-Richter theksoi gjithashtu se Universiteti i Prishtinës (UP) qëndron si një nga 70 universitetet në nivel global që zbaton trajnimin e multiplikatorëve, duke theksuar përkushtimin e tij për përsosmëri arsimore dhe inovacion.
Ndër të tjera, të pranishëm në nënshkrimin e marrëveshjes së bashkëpunimit ishin prorektorja Arta Basha Jakupi, prodekanja Milote Sadiku dhe shefja e departamentit të gjuhës gjermane (UP), prof. Teuta Abrashi.
Marrëveshja e bashkëpunimit është nënshkruar në ambientet e rektoratit të Universitetit të Prishtinës.