Shkolla verore “Kosovo matters - Culture and society in Europe‘s youngest country” vazhdoi aktivitetet e saj në ditën e dytë me ligjëratën “Arti dhe kultura në Kosovë” me ligjërues Verena Walzl dhe Alban Beqiraj. Ligjërata u mbajt në ambientet e Centre for Narrative Practice në Prishtinë. Pjesëmarrësit u njoftuan me zhvillimet aktuale në fushën arteve pamore, atyre skenike dhe në film. Ata poashtu u njohën me aktivitetet kulturore dhe projektet që zhvillohen në CNP.
Pasdite pjesëmarrësit vizituan atelienë e fotografit Hazir Reka, ku patën mundësi të ndjekin historinë e Kosovës përmes fotografive të tij.
Shkolla verore vazhdoi në mbrëmje në stadiumin Fadil Vokrri ku pjesëmarrësit ndoqën lojën e përfaqësueseve U21 në mes të Kosovës dhe Gjermanisë.
Këtë vit shënohet edicioni i tretë i shkollës verore DAAD "Go East" të organizuar nga departamenti i Gjuhës dhe Letërsisë Gjermane. Ky edicion nisi me 11 shtator dhe do të zgjasë dy javë. Shkollën verore sivjet e ndjekin 17 studentë gjermanë nga universitete të ndryshme në Gjermani dhe 10 studentë nga Departamenti i Gjuhës dhe Letërsisë Gjermane, të cilët pas përfundimit të programit do të marrin pikë ECTS dhe një certifikatë pjesëmarrjeje. Pjesa më e madhe e shkollës verore zhvillohet në gjermanisht.