Shënohet 50 vjetori i themelimit të Departamentit të Orientalistikës në UP

24 Maj 2023
SHARE

Dje, më 23.05.2023, në Fakultetin e Filologjisë, në Universitetin e Prishtinës është shënuar 50 vjetori i themelimit të Departamentit të Orientalistikës në Universitetin e Prishtinës.

Përveç profesorëve, studentëve dhe të diplomuarëve në këtë Departament, në ceremoninë e hapjes morën pjesë edhe rektori i UP-së, prof. dr. Qerim Qerimi, ambasadori i Republikës së Turqisë në Prishtinë, z. Sabri Tunç Angılı, ambasadori i Arabisë Saudite në Tiranë, z. Faisal Ismail Hifzi, dhe krerë të institucioneve shkencore dhe hulumtuese.

Të pranishmit në këtë ceremoni, në emër të Fakultetit të Filologjisë, i përshëndeti prof. dr. Milote Sadiku, prodekane e këtij fakulteti, e cila ndër të tjera theksoi se studentët që përfundojnë studimet në këtë Departament kanë mundësi të njihen me gjuhët dhe kulturat e popujve të Orientit, të mësojnë për trashëgiminë kulturore orientale në Ballkan dhe rajonet shqiptare, si dhe të pajisen me dije dhe njohuri për interpretimin e shumë fenomeneve kulturore e politike që ndërlidhen me Orientin.

Në fjalën e tij përshëndetëse, rektori i Universitetit të Prishtinës tha se ndjehet i lumtur që është pjesë e festës së 50 vjetorit të themelimit të Departamentit të Orientalistikës, i cili është njëri nga departamentet më të vjetra të Universitetit të Prishtinës. Ai shtoi se Departamenti i Orientalistikës i themeluar në vitin 1973, ka arritur të sjell një mori veprash shkencore dhe kulturore, si dhe të arsimojë orientalistë, të cilët gjatë këtyre viteve kanë dhënë kontribute të vlefshme për zbardhjen e trashëgimisë orientale. 

Ndërsa ambasadori turk në Prishtinë, z. Angılı në fjalimin e tij pohoi se Ballkani ka pasur një ndikim shumë serioz në traditën e mendimit dhe në menaxhimin e shtetit në Perandorinë Osmane. Ai gjithashtu deklaroi se shqiptarët në të kaluarën kanë patur një ndikim të madh edhe në rajonin e Ballkanit.

Në fund të ceremonisë, profesorëve të Departamentit të Orientalistikës, prof. dr. Feti Mehdiu, prof. dr. Ismail Ahmedi, prof. dr. Iljaz Rexha, prof. dr. Muhamed Mufaku, prof. dr. Mehdi Polisi, prof. dr. Abdulla Amidi, prof. dr. Isa Memishi iu nda nga një mirënjohje, në shenjë falenderimi për punën dhe veprën e tyre në Departament dhe në studimet orientale.

Pjesë e programit të 50 vjetorit të themelimit të Orientalistikës u mbajt edhe tryeza shkencore me temë “50 vjet studime orientale në Universitetin e Prishtinës”, ku u trajtuan kontributet, arritjet, sfidat dhe aktualiteti i studimeve orientale.

Në kuadër të këtij përvjetori, të pranishmit patën rastin të shohin edhe ekspozitën me vepra kaligrafike arabe të Ejmen Hasanit, student i nivelit MA në Departamentin e Orientalistikës.