Sot, më 04.05.2023, në Fakultetin e Filologjisë u hap Konferenca e katërmbëdhjetë ndërkombëtare e Gjermanistëve të Evropës Juglindore me temën “Framing- raporti mes gjuhës dhe realitetit II në gjuhën gjermane, në letërsinë gjermane, në media, në kulturën, në didaktikën e gjermanishtes si gjuhë e huaj dhe në translatologji.” Kjo Konferencë organizohet nga Departamenti i Gjuhës dhe Letërsisë Gjermane në bashkëpunim me Shoqatën e Gjermanistëve të Evropës Juglindore (Südosteuropäischer Germanistenverband – SOEGV) dhe me përkrahje të DAAD-it e të Fakultetit të Filologjisë, Universiteti i Prishtinës. Hapjen e konferencës e bëri shefja e departamentit prof.asoc.dr. Teuta Abrashi, e cila në një fjalim rasti prezantoi konceptin dhe temën e Konferencës dhe falënderoi të gjithë ata që e mundësuan realizimin e kësaj Konference dhe ju uroi mirëseardhje të gjithë të pranishmëve.
Të pranishmit me një fjalë rasti i përshëndeti edhe Rektori i Universitetit të Prishtinës, prof.dr. Qerim Qerimi, i cili e theksoi rëndësinë e mësimit dhe studimit të gjuhës gjermane në Kosovë. Ai u shpreh i kënaqur që Universiteti i Prishtinës është për herë të dytë nikoqir i kësaj konference tradicionale të gjermanistëve, e cila mbahet çdo vit në vende të ndryshme të Evropës Juglindore. Ai tha: “Herën e parë kjo konferencë u mbajt te ne në vitin 2013. Pjesëmarrës në konferencën e sivetmje janë 61 vetë nga 14 vende të Evropës: nga Austria, Bosnja dhe Hercegovina, Çekia, Gjermania, Irlanda, Italia, Kroacia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Serbia, Sllovakia, Sllovenia, Shqipëria dhe Kosova.”
Edhe Dekanja e Fakultetit të Filologjisë, prof.dr. Lindita Rugova, i uroi mirëseardhje pjesëmarrësit në ambientet e Fakultetit të Filologjisë dhe ju dëshiroi qëndrim të mirë dhe diskutime të frytshme gajtë konferencës. Ajo e lavdëroi edhe punën e stafit të Departamentit të gjermanistikës të Fakultetit të Filologjisë. Ndër tjerash tha: “Sot dua të theksoj rolin e rëndësishëm që keni shumica prej jush si mësimdhënës dhe ekspertë të gjuhëve të huaja në shoqërinë tonë. Ju jeni edukatorë të gjuhëve të huaja të brezave të tanishëm dhe të ardhshëm të të rinjve në epokën e sfidave globale, duke marrë parasysh tregun polivalent tw punës dhe kërkesën jashtëzakonisht të lartë për përfshirje të burimeve teknologjike, të cilat e bëjnë karrierën tuaj mësimore më interesante, më tërheqëse por në të njëjtën kohë më të vështirë.” Deknaja Rugova e potencoi bashkëpunimin e frytshëm ndërmjet UP-së dhe agjencive shtetërore për shkëmbim akademik të Republikës gjermane dhe austriake.
Zëvendësambasadori i Gjermanisë z. Matthias Conradt përshëndeti po ashtu të pranishmit në fjalën e tij të rastit si dhe foli për rëndësinë e gjuhës gjermane , e në veçanti theksoi rëndësinë gjithnjë e në rritje të gjermanishtes si gjuhë e huaj në tregun kosovar, si dhe mundësitë e shumta të punësimit në Kosovë për të rinjtë që kanë njohuri të gjuhës gjermane. Ai gjithashtu kujtoi interesimin e madh për mësimin dhe studimin e gjuhës gjermane në Kosovë.
Christoph Weidinger, ambasadori i Austrisë, foli për aktivitetet e Konferencës dhe Ditëve të Gjuhës Gjermane, duke falendëruar po ashtu stafin e Departamentit të Gjermanistikës së UP-së dhe sidomos lektorën e OeAD-së Verena Walzl për kontributin e saj të vazhdueshëm në promovimin e gjuhës dhe të kulturës gjermane.
Ambasadori i Zvicrës në Kosovë, z. Thomas Kolly, në fjalën e tij përshëndetëse po ashtu uroi hapjen e Konferencës, ku e theksoi rëndësinë e gjuhës gjermane për shoqërinë kosovare dhe për mirëmbajtjen e raporteve në mes Kosovës dhe Zvicrës. Ai gjithashtu foli edhe për aktivitetet e Ambasadës Zvicrane në kuadër të Ditëve të Gjuhës Gjermane.
Organizimi i kësaj konference sivjet përkon edhe me 30-të vjetorin e themelimit të Departamentit të Gjuhës dhe Letërsisë gjermane në Universitetin e Prishtinës. Ky departament është themeluar në vitin akademik 1992-1993 në kushte shume të vështira të asaj kohe, kur Universitetit të Prishtinës iu pamundësua mbajtja e mësimit në objektet e tij.
E veçantë këtë vit është se njëkohësisht me hapjen e konferencës ndërkombëtare të Gjermanistëve të Evropës juglindore u bë zyrtarisht edhe hapja e Ditëve të gjuhës gjermane, pasi kjo konferencë e Departamentit të Gjuhës dhe Letërsisë gjermane është vlerësuar si ngjarje shumë e rëndësishme në kuadër të aktivitetit të “Ditëve të gjuhës gjermane”. Në muajin maj në Kosovë çdo vit organizohen “Ditët e gjuhës gjermane”, aktivitet ky që organizohet nga ambasadat gjermanishtfolëse në Kosovë, nga UP e institucione e organizata të tjera që janë të lidhura me gjuhën gjermane.
Punimet e konferencës do të zgjasin deri më 6 maj.