Ambasadorja e Greqisë në Kosovë bashkë me bashkëpunëtorët e saj viziton Fakultetin e Filologjisë

24 Janar 2023
SHARE

Shefja e Zyrës Ndërlidhëse të Greqisë në Kosovë znj. Heleni Vakali, zëvendësshefi i Zyrës Greke z. Georgios Kranias dhe atasheu z. Konstandinos Katsanos e vizituan dje Fakultetin e Filologjisë. Ata u pritën nga dekanja prof.dr. Lindita Rugova me bashkëpunëtorët e saj.  Dekanja Rugova dhe  ambasadorja Vakali biseduan ndër të tjerash edhe  për bashkëpunimin ndërmjet UP-së dhe universiteteve greke dhe për mundësitë e rritjes së këtyre bashkëpunimeve në të ardhmen, sidomos përmes programit Erasmus+.

Temë kryesore e bisedimit ishte organizimi i një ligjërate nga mësimdhënësit e Universitetit të Maqedonisë në Selanik për të shënuar Ditën ndërkombëtare të gjuhës greke, por theks i vecantë u vu edhe te mundësia e mësimit të gjuhës greke në Qendrën e Gjuhëve. Palët u pajtuan që Dita ndërkombëtare e gjuhës greke të shënohet me 10 shkurt 2023 në ambientet e Fakultetit të Filologjisë.  

Me këtë rast ambasadorja Vakali i dhuroi Fakultetit të Filologjisë një udhërrefyes kulturor për 40 qytetet-porte mesjetare në Egje dhe në Detin e Zi.