Departamenti i Gjuhës dhe i Letërsisë Gjermane bëhet pjesë e projektit të ERASMUS + „SMilE, Sprache MACHT Europa - Sprachenvielfalt als Ressource in Schule und LehrerInnenbildung“ (2021-2024)

16 Mars 2023
SHARE

Partnerë projektit të Erasmus+ Sprache MACHT Europa - Sprachenvielfalt als Ressource in Schule und LehrerInnenbildung“ („Gjuha e BËN Evropën* - Diversiteti gjuhësor si burim në shkolla dhe në trajnimin e mësuesve”), në të cilin trajtohet shumëgjuhësia në kontekstin shkollor, janë tri shkolla dhe tri universitete nga tri vende evropiane (Gjermani, Francë, Austri). Së fundmi, pjesë e këtij partneriteti strategjik është bërë edhe Departamenti i Gjuhës dhe i Letërsisë Gjermane i Universitetit të Prishtinës „Hasan Prishtina“, gjëgjësisht studentët e programit studimor MA „Gjermanishtja si gjuhë e huaj“ së bashku me mësimdhënëset e tyre.

Partnerët e projektit SMilE po punojnë bashkë për të promovuar shumëgjuhësinë duke zhvilluar një koncept të zhvillimit të shkollës ndërkombëtare, ndërkulturore për klasat 3-6. Ky koncept do të testohet në klasa dygjuhëshe dhe të rregullta. Qëllim i këtij projekti është që kompetencën e përvetësimit të gjuhës ta bëjë më të përdorshme për nxënësit dhe në këtë mënyrë edhe më optimale. Për ta arritur këtë, do të zhvillohen strategji specifike të mësimdhënies dhe të mësimnxënies në kuadër të një didaktike moderne të shumëgjuhësisë.

Diversiteti kulturor dhe gjuhësor i Evropës në këtë projekt shihet si një tipar përbërës i kontinentit tonë, i cili duhet kuptuar si një mundësi dhe resurs, veçanërisht për shkollat. "Njerëzit që mësojnë disa gjuhë mund të lëvizin me siguri midis kulturave të ndryshme dhe zakonisht zotërojnë më mirë gjuhën e tyre." Rritja e fëmijëve dhe të rinjve në kontekst shumëgjuhësor është realitet në Evropë dhe si rrjedhojë në vendet partnere të këj projekti që janë vende të migrimit: Gjermani, Francë dhe Austri. Kështu, gjuha dhe promovimi i saj është një resurs i madh social dhe ekonomik. Me njohjen e gjuhëve dhe promovimin e tyre si gjuhë të huaja apo gjuhë të origjinës, jo vetëm që ngritet “probabiliteti i punësimit” të brezit të ardhshëm evropian, por mësimi i gjuhës njëkohësisht mundëson edhe mësimin e aftësive ndërkulturore dhe mbi të gjitha ndryshimin e këndvështrimit dhe pranimin e “tjetrit”.

Në kuadër të këtij projekti do të zhvillohen materiale dhe koncepte konkrete që mund të zbatohen në çdo klasë. CLIL, reflektimi gjuhësor, metakompetenca gjuhësore, translanguaging, të mësuarit në bashkëpunim, ndërmjetësimi gjuhësor, kompetencat shumëgjuhësore të tekstit, pedagogjia e dramës, zhvillimi krijues holistik i të gjitha resurseve gjuhësore luajnë një rol të madh në transferimin e koncepteve të shumëgjuhësisë nga shkollat ​​dygjuhëshe në shkollat ​​e zakonshme. Disa nga materialet do të testohen në Kosovë (në kontekstin e DaF-shkollave si dhe në edukimin e mësuesve). Ndërsa, zbatimi në shkollat ​​e rregullta në Gjermani, Francë dhe Austri mbështetet nga aspekti shkencor nga universitetet partnere. Kurrikula shumëgjuhëshe mund të përshtatet për nevojat rajonale. Këto koncepte do të integrohen në edukimin e mësuesve në universitetet partnere në këtë projekt. Si një vlerë e shtuar e këtij zbatimi si dhe për të promovuar kompetencën e tyre ndërkulturore, studentët e këtyre katër universiteteve (KU, UNISTRA, PHS, UP) janë lidhur ndërmjet veti përmes ligjëratave transnacionale për shumëgjuhësinë që janë mbajtur online gjatë semestrit dimëror 2022-2023, të cilat ligjërata do të vazhdojnë edhe në semestrin veror 2023.  

Pjesëmarrës në këtë projekt janë: KATHOLISCHE UNIVERSITÄT EICHSTATT-INGOLSTADT (KU, Gjermani), UNIVERSITE DE STRASBOURG (UNISTRA, Francë), CPESCONSEIL PROTESTANT DE L'EDUCATION DE STRASBOURG (Francë), Pädagogische Hochschule Salzburg (PHS , Austri), Education Unlimited e.V. (Gjermani), Michael-Friedrich-Wild-Grundschule Müllheim (Gjermani), Volksschule Kufstein/Sparchen (Austria) dhe si partner joaktiv Departamenti i Gjuhës dhe i Lëtërsisë Gjermane, Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”.

 

 

*Folja gjermane „macht“ (‚bëj‘) është përdorur këtu edhe në kuptimin e emrit „Macht“ (‚fuqia‘), pra: „Gjuha FUQI e Evropës“.)