U mbajt takimi i radhës i Trupit Këshilldhënës të Fakultetit të Filologjisë

12 Janar 2023
SHARE

Dje, më 11.01.2023, në mjediset e Fakultetit të Filologjisë, u mbajt mbledhja e radhës e Trupit Këshilldhënës të këtij fakulteti. Në takim u diskutua për programet e studimit me të cilat Fakulteti i Filologjisë këtë vit do të aplikojë për riakreditim. Anëtarët e TK-së, si përfaqësues të tregut të punës për të diplomuarit e Fakultetit të Filologjisë, i dhanë sygjerimet, komentet e vërejtjet e tyre lidhur me programet e studimit të këtij fakulteti, si dhe lidhur me kompetencat e shkathtësitë me të cilat pajisen të diplomuarit e këtyre programeve. Përveç tjerash, u diskutua për rëndësinë e bashkëpunimit në mes të Fakultetit të Filologjisë dhe institucioneve të tjera e akterëve relevantë në fushën e arsimit dhe të punësimit për të diplomuarit e këtij fakulteti, por edhe për mundësinë e mbajtjes së praktikës disamujore në institucionet që i përfaqësojnë anëtarët e TK-së. Dekanja prof.dr. Lindita Rugova i falënderoi të gjithë për bashkëpunimin e tyre të mirë me Fakultetin e Filologjisë.

Për shkak të ndryshimit të fushëveprimit të disa anëtarëve të TK-së, u bë plotësimi i këtyre pozitave edhe me anëtarë të rinj. Anëtarë të rinj të TK-së u zgjodhën z. Gazmend Syla nga kompania mediale Klan Kosova dhe z. Arbër Xheladini nga Shkolla e gjuhëve të huaja “Deutschzentrum Kosovo”, me të cilët u nënshkrua edhe Marrëveshja e Mirëkuptimit.

Trupi Këshilldhënës (TK) i Fakultetit të Filologjisë është themeluar në vitin 2015 dhe është njësi këshilldhënëse dhe jofitimprurëse, e paanshme dhe e besueshme ndaj vizionit të UP-së, duke u bazuar në vullnetin e mirë të anëtarëve të saj dhe përkushtimit të njësive akademike për ngritjen e cilësisë në veprimtarinë e përgjithshme të fakultetit.