Më 06.12.2024 në Departamentin e Gjuhës dhe të Letërsisë Gjermane të Fakultetit të Filologjisë u mbajt workshopi me temën “Intensives und extensives Lesen im DaF-Unterricht” (“Të lexuarit intenziv dhe ekstenziv në mësimdhënien e gjermanishtes si gjuhë e huaj”) nga profesoresha e Universitetit të Vjenës prof.dr. Karen Schramm. Pjesëmarrës në këte workshop ishin studentët e nivelit master të programit “Gjermanishtja si gjuhë e huaj” dhe disa studentë të vitit të katërt që e ndjekin lëndën e Metodikës së gjermanishtes si gjuhë e huaj. Në pjesën e parë të këtij workshopi u diskutia për leximin intensiv, për aktivitetet para leximit, gjatë leximit dhe pas leximit dhe u zhvilluan aktivitete interesante duke përdorur edhe inteligjencën artificiale për të planifikuar orët mësimore për shkathtësinë e të lexuarit. Në pjesën e dytë u trajtua të lexuarit ekstenziv, ku ndër të tjera studentët simuluan një “Lesezirkel” (‘rrethin e leximit’). Pyetjet kryesore të workshopit ishin se si të gjejmë tekste motivuese që përshtaten për nivelin e duhur të nxënësve.
Prof.dr. Karen Schramm është një ndër ekspertet më të njohura të fushës së didaktikës së gjermanishtes si gjuhë e huaj. Ajo tha se ishte shumë e kënaqur me nivelin e gjuhës dhe të përgatitjes së studententëve nga fusha e metodologjisë së mësimdhënies.
Ndërkaq, në muajin nëntor në departamentin e Gjermanistikës u mbajtën gjithashtu dy workshope dyditore. Udhëheqëse të këtij trajnimi ishin prof. dr. Tanja Rinker nga Universiteti Eichstätt-Ingolstadt, Gjermani dhe prof.dr. Andrea Ender nga Universiteti Paris Lodron në Salzburg, Austri. Qëllimi i këtij trajnimi ishte që studentët të zgjerojnë kompetencat e tyre në fushën e mësimdhënies së gjermanishtes si gjuhë e huaj, duke u përqëndruar te zhvillimi i strategjive të synuara të mësimdhënies dhe të mësimnxënies në kuadër të didaktikës moderne për shumëgjuhësinë. Prof. Rinker dhe prof. Ender e kanë mësimdhënien e gjermanishtes në kontekst të shumëgjuhësisë në fokus të hulumtimeve të tyre shkencore.
Përveç organizimit të trajnimeve të tilla nga fusha e mësimdhënies së gjermanishtes me studentët e Departamentit të Gjermanistikës, synohet që të thellohet bashkëpunimi me këto institucione prestigjioze edhe në fusha të tjera.