Disa studentë dhe mësimdhënëset e tyre të Departamentit të Gjuhës dhe Letërsisë Gjermane mbajtën workshop dyditor në Departamentin e Gjuhës gjermane në Universitetin e Trakias në Edirne, Turqi

21 Maj 2024
SHARE

Në kuadër të projektit të përbashkët me Departamentin e Gjuhës gjermane të Universitetit të Edirnes “Deutsch als Brücke: Sprachliche und kulturelle Zusammenarbeit albanischer und türkischer Studierender” (“Gjermanishtja si urë lidhëse: Bashkëpunim gjuhësor dhe kulturor në mes të studentëve shqiptarë dhe turq”), i cili udhëhiqet nga mësimdhënëset e Departamentit të Gjermanistikës Milote Sadiku dhe Sadije Rexhepi, si dhe nga mësimdhënësja Çağlayan Karaoğlu Bircan nga Universiteti i Edirnes, prej 15-18 maj 2024 në Universitetin e Trakias në Edirne u mbajt faza e dytë e projektit, ku u zhvillua një workshop dyditor me studentët e Departamentit të Gjuhës gjermane të UP-së dhe të Universitetit të Edirnes. Gjuha e komunikimit dhe e punës gjatë workshopit ishte gjuha gjermane, që ka shërbyer si urë lidhëse në mes të studentëve turq dhe shqiptarë. Studentët e Gjermanishtes të UP-së dhe mësimdhënëset e tyre u shprehën shumë të kënaqur për mbarëvajtjen e punës dhe të aktiviteteve të planifikuara si dhe për mikëpritjen e tyre në Edirne.  

Ky rrugëtim i këtij shkëmbimi ndërkulturor dhe gjuhësor në mes të studentëve turq dhe shqiptarë filloi qysh në muajin mars 2024, kur studentët turq vizituan Fakultetin e Filologjisë dhe Departamentin e Gjermanistikës në Prishtinë. Ky bashkëpunim premtoi jo vetëm zgjerimin e njohurive të studentëve në gjuhën gjermane, por edhe gjetjen e ngjashmërive dhe dallimeve kulturore midis gjuhës gjermane, shqipe dhe turke.

Bashkëpunimi mes studentëve turq dhe kosovarë rezultoi jo vetëm si një përvojë interesante, por edhe një reflektim i rëndësishëm mbi fuqinë e gjuhës për të ndërtuar ura lidhëse ndërmjet kulturave. Duke shkëmbyer njohuri, përvoja dhe perspektiva, pjesëmarrësit jo vetëm që zgjeruan horizontet e tyre, por gjithashtu kontribuan në promovimin e dialogut ndërkulturor.

Në fund të workshopit dyditor dekanja e Fakulteti të Filologjisë të UP-së, prof. dr. Lindita Rugova, dhe dekanja e Fakultetit të Edukimit të Universitetit të Trakias, prof. dr. Sevinç Maden, i ndanë studentëve dhe mësimdhënëseve certifikata pjesëmarrjeje.

Ky projekt synon që të zgjerohet dhe të vazhdojë edhe në vitin e ardhshëm. Qëllimi i këtij projekti është inicimi dhe zhvillimi i bashkëpunimit gjuhësor dhe kulturor në mes të studentëve dhe mësimdhënësve të Gjuhës gjermane të të dy Universiteteve të lartpërmendura.