Në Fakultetin e Filologjisë shënohet dita ndërkombëtare e gjuhës arabe

21 Dhjetor 2022
SHARE

Dje, më 20 dhjetor, 2022, Departamenti i Orientalistikës në Fakultetin e Filologjisë shënoi Ditën Ndërkombëtare të Gjuhës arabe.

Në këtë aktivitet, ku morën pjesë studentë dhe profesorë të Fakultetit të Filologjisë, të pranishmit i përshëndeti Abdulla Rexhepi, udhëheqës i këtij departamenti. Në fjalimin e tij, prof. Rexhepi tha: “Asambleja e Përgjithshme e OKB-së e shpalli arabishten gjuhën e gjashtë zyrtare dhe 18 dhjetorin e caktoi si Ditën Ndërkombëtare të Gjuhës arabe. Kjo ndodhi gjysmë shekulli më parë, në vitin 1973. Po atë vit, në kuadër të Fakultetit  Filozofik të Universitetit të Prishtinë është themeluar edhe Departamenti i Orientalistikës, ku përveç gjuhës dhe letërsisë turke, është studiuar dhe mësuar edhe gjuha, letërsia dhe kultura arabe.”

Ndërsa të pranishmit i përshëndeti edhe prodekani i Fakultetit të Filologjisë, prof. Isa Memishi, i cili ndër të tjera tha: “Më lejoni që t’i falënderoj të gjithë ata profesorë dhe punonjës të këtij departamenti, të cilët deri më sot kanë dhënë kontribute shumë të mëdha. Duhet theksuar se të gjitha këto kontribute janë bërë me iniciativa individuale dhe pa përkrahjen e askujt. Si shembull, mund të tregojmë se në këtë departament është përkthyer për herë të parë Kurani në gjuhën shqipe, për herë të parë janë përkthyer vëllimet e koleksionit të Sahihul Buhari-ut, këtu janë shkruar fjalori Arabisht-shqip, gramatika për mësimin e gjuhës arabe, si dhe janë përkthyer shumë vepra letrare, islamistike dhe shkencore nga gjuha arabe në gjuhën shqipe”.

Në kuadër të këtij aktiviteti, u mbajt dhe diskutimi me temë "Përvojat e përkthimit letrar: nga shqipja në arabisht dhe anasjelltas", ku folën Ibrahim Fadlallah dhe Ejup Ramadani, përkthyes të letërsisë shqipe në arabisht dhe të letërsisë arabe në shqip.