Sot, më datën 17 dhjetor 2021, në Departamentin e Orientalistikës në Fakultetin e Filologjisë u shënua Dita Ndërkombëtare e gjuhës arabe. Në kuadër të kësaj ceremonie u prezantuan kontributet dhe veprat e botuara të stafit të këtij departamenti: Programi elektronik për zgjedhimin e foljeve të gjuhës arabe dhe fjalori elektronik Arabisht-Shqip i prof. Isa Memishit, si dhe libri “Ju keni Libanin tuaj, unë kam timin” i autorit Halil Xhubran, i përkthyer nga prof. Jahja Hondozi.
Në këtë ngjarje festive të pranishëm ishin dekanja dhe prodekanët e Fakultetit të Filologjisë, profesorë, studentë dhe dashamirës të gjuhës, kulturës dhe letërsisë arabe. Në hapje të këtij organizimi, dekanja prof.dr. Lindita Rugova foli për rëndësinë e multilingualizmit dhe rolin e tij në krijimin e urave midis qytetërimeve, ku e theksoi rolin e gjuhës arabe në krijimin e lidhjes midis njerëzve, si dhe në ndërtimin e një fryme bashkëpunuese ndërmjet kulturës, shkencës dhe letërsisë. Ndërsa Shefi i Departamentit të Orientalistikës, prof. Abdulla Rexhepi, i foli për traditën e studimit dhe të mësimit të gjuhës arabe në këtë Departament si dhe për kontributet e stafit të këtij departamenti në fushën e arabistikës.