NË FAKULTETIN E FILOLOGJISË U MBAJT “ORA E SHKRIMTARIT” ME NAIM KRYEZIUN

11 Tetor 2024
SHARE

 

Të mërkurën, më 09.10.2024, në në Fakultetin e Filologjisë u mbajt „Ora e Shkrimtarit“ me Naim Kryezin. Në këtë aktivitet letrar të organizuar nga PEN Qendra e Kosovës morën pjesë studentë, profesorë, shkrimtarë dhe dashamirës të shumtë të librit. Aktiviteti letrar u moderua nga shkrimtari Ibrahim Berisha, i cili e prezantoi Naim Kryeziun si përkthyes, studiues e profesor i letërsisë gjermane në Degën Gjuhë dhe Letërsi Gjermane në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Në fillim të fjalës së tij, Berisha e vlerësoi angazhimin dhe kontributin e Naim Kryeziut në fushën e studimit të letërsisë krahasimtare, duke e dalluar librin e tij monografik për Hajnrih Hajnen, por edhe veprat e përkthyera, duke e cilësuar si ndër përkthyesit më të mirë nga gjuha gjermane në gjuhën shqipe dhe anasjelltas.

Në fushën e përkthimit letrar, Naim Kryeziu ka përkthyer nga shqipja në gjermanisht vëllimet me poezi “Ndiz dritën magjike”, të Sali Bashotës “Zogj të plagosur” të Agim Vincës dhe librin antologjik të katër poetëve “Atëherë poeti tha” të poetëve Ali Podrimja, Ibrahim Berisha, Sali Bashota dhe Basri Çapriqi. Ndërkaq, nga gjermanishtja në shqip ka përkthyer librin e autores zvicerane Yvonne-Denise Köchli me titullin “Gra, edhe sa vjet doni të prisni?”, më pas romanin “Dyshimi” të shkrimtarit të shquar zviceran Friedrich Dürrenmatt, veprën eseistike me titull “Vetëdija e fjalëve” të nobelistit Elias Kaneti, veprën “Shtatë legjendat” të shkrimtarit zviceran Gotfrid Kelerit, librin “Aforizma dhe citate” të autorëve gjermanë, austriakë dhe zviceranë”, etj.

Për përkthimin e veprës me titullin “Vetëdija e fjalëve” të nobelistit Elias Kaneti i është dhënë çmimi i dytë nga Kancelaria Federale e Austrisë. Naim Kryeziu është marrë dhe merret vazhdimisht edhe me botimin e punimeve shkencore në fushën e letërsisë e të përkthimit letrar.

Në ligjëratën e tij mjaft interesante, Naim Kryeziu, ofroi mjaft shembuj karakterizues që ndërlidhen me përkthimin e poezisë, prozës, esesë, dramës, etj. Në këtë drejtim, fokusi i përqendrimit ishte te metoda e përkthimit dhe te rëndësia e një vepre që përkthehet me pasion dhe kënaqësi.

Në fjalën e tij, përkthyesi Naim Kryeziu konstatoi se “me letërsinë e huaj, por sidomos me kryeveprat e letërsisë botërore lexuesi njihet kryesisht nëpërmjet përkthimeve letrare. Kur lexojmë një roman që është përkthyer nga një gjuhë në një gjuhë tjetër, ai në një mënyrë është gjithmonë interpretim i veprës origjinale. Sepse të përkthesh automatikisht do të thotë edhe të interpretosh. Ngase, në përkthimin letrar, veçanërisht rrëfimi ose ngjarja duhen të riinterpretohen ose thënë edhe më qartë, rrëfimi duhet, në një farë mase, të rishpiket”.  Në vazhdim të fjalës së tij, Kryeziu tha: “Një përkthim letrar i suksesshëm jo vetëm që duhet të riprodhojë kuptimin, por duhet të marrë edhe parasysh kulturën e gjuhës burimore dhe, në një masë të caktuar edhe frymën e gjuhës. Në këtë mënyrë, përkthyesi e pasuron gjuhën kombëtare, letërsinë dhe kulturën e vendit të vet”.

Në fund të ligjëratës u zhvillua një diskutim në mes të përkthyesit dhe të pranishmëve në sallë, lidhur me punën dhe projektet e rradhës së tij. Përkthyesi Kryeziu ndër tjerash tregoi për projektin e Antologjisë së poezisë moderne shqipe në gjermanisht që do të botohet vitin e ardhshëm.

Projekti “Ora e Shkrimtarit”, i cili gjatë muajve tetor dhe nëntor do të organizohet në disa qendra të Kosovës është përkrahur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës.