Në Prishtinë zhvilloi punimet Konferenca e parë shkencore ndërkombëtare e gjuhëve, letërsisë dhe kulturave ballkanike

30 Maj 2024
SHARE

Mbi pesëmbëdhjetë studiues nga vende të ndryshme të Europës dhe nga rajoni, paraqitën kumtesat e tyre në konferencen e parë ndërkombëtare të Ballkanistikës për gjuhët, letërsinë dhe kulturat ballkanike e cila përfundoi me sukses të jashtëzakonshëm, duke mbledhur studiues dhe ekspertë për të thelluar dijen dhe informacionin në sferën e shumëanshme të diversitetit gjuhësor dhe kulturor ballkanik. Punimet u zhvilluan në dy sesione: studimet gjuhësore dhe studimet letrare e kulturore, ndërsa studiuesit përfaqësuan Universitete dhe Institute të studimeve ballkanike nga shtete si Polonia, Spanja, Portugalia, Turqia, Shqipëria, Bullgaria, Kroacia, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Republika e Kosovës etj.

E organizuar nga Departamenti i Ballkanistikës në kuadër të Fakultetit Filologjik të Universitetit të Prishtinës, konferenca shërbeu si platformë për shkëmbim dhe bashkëpunim akademik, duke nxitur diskutime të thella dhe duke hapur rrugë për kërkime inovative në fushën e studimeve ballkanike.

Studiues të shquar si Aleksandër Rusakov nga Instituti i Gjuhësisë dhe Letërsisë, Akademia e Shkencave të Shqipërisë dhe Maria Morozova nga Instituti për Studime Gjuhësore të Akademisë së Shkencave Ruse, Shën Petersburg, paraqitën punime që nxisin mendimin mbi tema që variojnë nga zhvendosja gjuhësore në varietetet shqipe në analizën e ligjërimit të gjuhëve ballkanike.

Konferenca përmblodhi gjithashtu prezantime nga studiues nga vendet e rajonit, duke përfshirë Ekaterina Tarpomanova dhe Rusana Hrisotva-Bejleri nga Universiteti i Sofjes “Shën Kliment Ohridski”,  duke eksploruar qasjet ndaj diskursit ballkanik, Francisco Javier JUEZ GÁLVEZ nga Universidad Complutense de Madrid, Spanjë, duke hedhur dritë mbi burimet albanologjike që ilustrojnë ligjërimin spanjoll dhe Rogério Miguel Puga nga Nova University, Lisbonë, i cili u ndal tek studimi i të shkruarit etnografik mbi Prishtinën e shekullit të 19-të.

 

Për më tepër, studiues si Merima Krijezi nga Universiteti i Beogradit dhe Ana Sivacki nga Universiteti i Prishtinës dhanë njohuri të vlefshme për përvetësimin e gjuhës dhe rolin e gjuhës amëtare në mësimin e gjuhës së dytë.

Të pranishmit trajtuan një sërë temash të larmishme, duke filluar nga analiza letrare dhe eksplorimi i folklorit deri te kërkimet gjuhësore dhe studimet kulturore. Konferenca shfaqi natyrën ndërdisiplinore të studimeve ballkanike, duke theksuar rëndësinë e saj për të kuptuar kompleksitetin e rajonit.

Me këtë rast mirënjohje e veçantë iu nda Akademikut Rexhep Ismajli dhe Dekanes së Fakultetit të Filologjisë Lendita Sejdiu-Rugova, për kontributin si ideatorë dhe nismëtarë të themelimit të Departamentit të Ballkanistikës, ndërsa për përkrahje të Departamentit u nderuan edhe Zyra e Përfaqësuesit Special të BE-së, Ambasada e Zvicrës, Ambasada e Britanisë së Madhe, IOM-i, këshilltarja e Kryeministrit të Republikës së Kosovës për komunitete, Elisabeth Gowing.

Organizimi i konferencës së parë shkencore ndërkombëtare të Ballkanistikës vendosi gurëthemel për kërkimet e ardhshme shkencore që synojnë pasurimin e të kuptuarit të gjuhëve, letërsisë dhe kulturave ballkanike.