Letërsisë Shqipe
Programi i Letërsisë shqipe (Bachelor) funksionon brenda strukturës organizative të Fakultetit të Filologjisë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”. Ky program studimor është hartuar duke u bazuar në parimet udhëheqëse dhe orientuese të këtij institucionit akademik.
Programi BA është zhvilluar me qëllim për t'iu përgjigjur nevojave aktuale të tregut të punës në Kosovë, i cili ofron një gamë të gjerë mundësish punësimi:
-
si mësimdhënës në ciklin parauniversitar, si dhe si punonjës në institucione arsimore;
-
në gazetari: si reporterë, kolumnistë, redaktorë në gazeta, revista, media onlain, etj.;
-
në shtëpi botuese: punë në redaktim, lektorim, korrektim;
-
në media dhe komunikim: specialistë të marrëdhënieve me publikun (menaxhim i imazhit për institucione, kompani, organizata, ose figura publike), moderatorë, skenaristë, analistë mediatik në radio e television, etj.;
-
në institucione shkencore, kulturore dhe letrare: punësim në institute, në biblioteka dhe arkiva, muze dhe qendra kulturore;
-
përkthyes;
-
punësim në shërbimin civil, në diplomaci, nënpunës në administratë e shumë pozita tjera:
-
në fushën e reklamave dhe marketingut: udhëheqës fushatash të ndryshme, shkrues i reklamave, etj.
Departamenti i Letërsisë Shqipe e ka hartuar këtë program të konceptuar si kualifikim themelor në fushën e Letërsisë Shqipe, i cili është plotësuar me lëndë që sigurojnë kualifikim profesional edhe në fushat e metodikës dhe didaktikës së Letërsisë.
Thelbi i kurrikulumit BA për “Letërsinë shqipe” përbëhet nga studimet letrare që ndahen në tre komponentë kryesorë: Teoria e letërsisë, Historia e letërsisë dhe Kritika letrare. Po ashtu, programi ofron edhe studime nga fusha të përafërta si: Letërsi botërore, Letërsi e krahasuar, Qytetërim, Histori e artit, Gjuhësi shqiptare dhe Gjuhë të huaja etj. dhe kurse të ndryshme nga sociologjia, psikologjia, informatika, filmi.
Misioni kyç i programit të Letërsisë shqipe është ofrimi i studimeve themelore në fushat e letërsisë shqipe dhe botërore. Duke marrë parasysh nevojat dhe kërkesat për mësimdhënës të Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë në shkollat e mesme të ciklit të ulët dhe të lartë, ky program është pasuruar me lëndë që mundësojnë një kualifikim themelor edhe në lëmin e metodikës dhe didaktikës së letërsisë.
Programi fokusohet në përgatitjen e studentëve për zgjerimin dhe thellimin e njohurive të tyre teorike, analitike si edhe shkathtësive interpretuese dhe është hartuar plotësisht në përputhje me parimet e misionit të institucionit, duke garantuar një arsimim cilësor. Për më tepër, programi u ofron studentëve mundësi që, pas përfundimit të suksesshëm të studimeve bachelor, ata të mund t’i vazhdojnë studimet e tyre akademike sipas interesave personale duke regjistruar ciklin tjetër – atë master. Kjo krijon një rrugë solide për avancimin e tyre profesional dhe akademik.
Studimet në këtë program zgjasin tetë semestra.
Synimi i programit të Letërsisë Shqipe MA është të sigurojë kontinuitetin akademik të departamentit dhe të krijojë traditë shkencore të studimeve të fushës së letërsisë. Misioni kryesor i këtij programi është të përgatisë profesionistë të mirë. Ky program është përgatitur në pajtim të plotë me parimet e misionit të Fakultetit të Filologjisë dhe në harmoni me misionin e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, të deklaruar edhe në aktin më të lartë juridik të tij – Statutin.
Të diplomuarit e programit Master fitojnë kualifikime të bazuara në studimet baçelor, që u mundësojnë atyre të kryejnë veprimtari praktike dhe / ose shkencore. Pas përfundimit të studimeve, ata janë të aftë që të punojnë në vende pune që ndërlidhen me këtë kualifikim. Programi Master i Letërsisë Shqipe që do të ofrohet nga Fakulteti i Filologjisë, administrohet nga Departamenti i Letërsisë Shqipe nën mbikëqyrjen e organeve relevante të Fakultetit.
Disiplinat e këtij programi të studimit krijojnë mundësi që studentët të formojnë njohuritë dhe kompetencat e nevojshme për fushën e studimit dhe po ashtu për fusha specifike të këtij programim të cilat mbulohen me përmbajtjen e lëndëve përkatëse.
Pas përfundimit të këtij programi të studimit studentët janë në gjendje që:
-
të zbatojnë njohuritë e thelluar shkencore në fushën e letërsisë;
-
të vjelin materiale për studime duke zbatuar metoda përkatëse shkencore;
-
të planifikojnë aktiviteteve mësimore të bazuara në rezultatet e pritura;
-
të përdorin strategji të ndryshme të mësimit;
-
të përdorin strategji të ndryshme të vlerësimit;
-
të përgatisin materiale mësimore dhe të përdorin mediat digjitale në procesin mësimor etj.
Studimet në këtë program zgjasin dy semestra.
Programi i Shkollës së Doktoratës për Letërsi, i përfshin disa departamente të fakultetit të Filologjisë duke përfshirë këtu edhe Departamentin e Letërsisë Shqipe.
Studentët që kanë përfunduar studimet MASTER në Departamentin e Letërsisë Shqipe, mund të konkurojnë për t’u bërë studentë të këtij programi dhe pasi të përfundojnë studimet, do të marrin gradën Doktor i Shkencave Filologjike.
Ky program funksionon brenda strukturës organizative të Fakultetit të Filologjisë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”. Ky program studimor është hartuar duke u bazuar në parimet udhëheqëse dhe orientuese të këtij institucionit akademik.
Pas përfundimit të studimeve të doktoraturës, studentët do të jenë të aftë të kontribuojnë në fushën akademike përmes kërkimeve të reja, botimeve shkencore dhe mësimdhënies në universitete. Mes të tjerash këta studentë mund të punësohen:
-
në institucione të ndryshme shkencore e kulturore
-
si mësimdhënës në universitete
-
si ekspertë në projekte kërkimore apo akademike
-
si ekspertë, këshilltarë, menaxherë në intitucione shtetërore apo private në fushën e politikave kulturore, akademike.
-
si ekspertë në fushën e redaktimit akademik etj.
Studimet në këtë program zgjasin gjashtë semestra.
Bursa, programe shkëmbimi, aktivitete jashtëkurrikulare, mësimdhënësit
* Studentëve të Departamentit të Letërsisë Shqipe BA dhe MA do t’u ofrohen nga Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë bursa me vlerë 1000 euro për secilin vit të studimeve, në mënyrë që të promovohen përpjekjet e tyre në shërbim të shkencave të albanistikës.
* Studentëve të Departamentit të Letërsisë Shqipe të të gjitha programeve u ofrohen mundësi të ndryshme të shkëmbimit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar e kombëtar përmes marrëveshjevë që Universiteti i Prishtinës ka realizuar në bashkëpunim me organizata e universitete të ndryshme.
Programi Erasmus+ mundëson shkëmbimin e studentëve për studime dhe praktika profesionale në universitete partnere në Evropë.
Universiteti Ndërkombëtar Veror i Prishtinës (PISU), program që përmes kurseve akademike, diskutimeve publike dhe aktiviteteve kulturore mundëson bashkëpunimin e studentëve tanë me profesorë e studentë që çdo vit vijnë nga vende të ndryshme dhe që me anë të të cilit promovohet forcimi i bashkëpunimit ndërmejt UP-së dhe universiteteve të tjera.
Studentët e Departamentit të Letërsisë Shqipe mund të përfitojnë nga marrëveshje të ndryshme bashkëpunimi të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” apo Fakultetit të Filologjisë me institucione të ndryshme. Për të përfituar nga këto mundësi, studentët duhet të ndjekin njoftimet zyrtare të Universitetit të Prishtinës apo Fakultetit të Filologjisë.
* Studentëve të Departamentit të Letërsisë Shqipe të të gjitha programeve u ofrohet mundësia që të marrin pjesë në aktivitete jashtëkurrikulare që organizohen nga departamanti i Letërsisë Shqipe apo nga Fakulteti i Filologjisë në bashkëpunim me Departamentin e Letërsisë Shqipe.
Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare është aktivitet akademik që organizohet nga Fakulteti i Filologjisë së Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” çdo vit. Ky seminar mbledh studiues, profesorë dhe studentë nga vende të ndryshme, ku diskutohen dhe trajtohen tema të ndryshme që lidhen me gjuhën, letërsinë dhe kulturën shqiptare.
Duke krijuar një hapësirë dinamike për debat, krijimtari dhe studim letrar, me mbështetjen dhe në bashkëpunim me Departamentin e Letërsisë Shqipe studentët e të gjitha programeve të këtij departamenti mund të angazhohen dhe marrin pjesë në organizime e aktivitete të ndryshme në kuadër të Deprtamentit që organizohen përgjatë vitit akademik si: tryeza letrare, klube leximi, biseda me autorë të njohur, promovime veprash letrare, konkurse letrare, klube filmi, ekskursione me karakter studimor/ edukativ/ kulturor, ligjërata të veçanta me të ftuar nga fusha akademike apo artistike etj,. Si dhe iniciativa të tjera kulturore dhe akademike siç janë konferenca të vazhdueshme për studentët e shkollës së doktoratës, konferenca të herëpashershme në bashkëpunim me fakultete analoge të universiteteve nga Shqipëria.
Studentëve të Departamentit të Letërsisë Shqipe të të gjitha programeve u ofrohet mundësia që sprovat e tyre artistike e shkencore t’i botojnë në revistën “DITIRAMB”. Gjithashtu, këta studentë do të kenë mundësi që rezultatet e veprimtarisë së tyre shkencore - akademike t’i botojnë edhe në organin zyrtar akademik të Fakultetit të Filologjisë revistën “FILOLOGJI”
Profesorët dhe asistentët e Departamentit të Letërsisë Shqipe
Prof. ass. Marjela Progni-Peci
MA. Kosovar Berisha
Shef i Departamentit të Letërsisë Shqipe
Prof. Osman Gashi
Email: [email protected]
Sekretare e Departamentit të Letërsisë Shqipe
Prof. asst. Marjela Progni – Peci
Email: [email protected]
Bachelor
- Plani i studimit - Letërsi shqipe BA(2016/2022)
- Plani i studimit - Letersi shqipe BA (2022-2026)
- Silabuset
- Silabuset 2022
Master
- Plani i studimit Letërsi shqipe MA(2022/2026)
- Plani i studimit - Letersi shqipe MA (2022-2026)
- Silabuset


- Thirrje për Kongresin Ndërkombëtar Ballkanik të Arsimit dhe Shkencës
- Shkëmbe përvojën, ndihmo të tjerët – Nga Pasioni te Profesioni: Gratë në Teknologji
- Ligjërata nga Profesorë të Universitetit të Napolit “L’Orientale” në Fakultetin e Filologjisë
- Rektori i Universitetit të Napolit mban ligjëratë në Fakultetin e Filologjisë