Punimi shkencor “Home vs. Abroad: How Media Exposure Shapes Emigration Aspirations under Visa-Based Mobility Restrictions”, i Blerta Blakaj nga Fakulteti i Filologjisë i Universitetit të Prishtinës, u prezantua në kuadër të konferencës prestigjioze ndërkombëtare International Communication Association (ICA 2026), e cila këtë vit shënoi edicionin e saj të 76-të dhe u mbajt nga 4 deri më 8 qershor në Cape Town, Afrikë e Jugut.
Blerta Blakaj, autorja e parë e studimit, është asistente në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Prishtinës dhe doktorante në Universitetin e Vjenës, Austri. Hulumtimi i prezantuar është rezultat i bashkëpunimit akademik me Jakob-Moritz Eberl (Senior Scientist) dhe profesorin Hajo Boomgaarden nga Universiteti i Vjenës.
Hulumtimi shqyrton mënyrën se si ekspozimi mediatik ndikon në formësimin e aspiratave për emigrim në kontekste ku lëvizshmëria ndërkombëtare kufizohet nga regjimet e vizave. I pranuar për prezantim pas procesit ndërkombëtar të vlerësimit shkencor (peer review), studimi ofron një kontribut të rëndësishëm në debatet bashkëkohore mbi migrimin, komunikimin dhe pabarazitë globale.
International Communication Association (ICA) është një nga organizatat më prestigjioze akademike në botë në fushën e komunikimit dhe mediave. Me një traditë 76-vjeçare, konferenca e saj vjetore mbledh rreth 3,000 studiues dhe hulumtues nga universitete dhe institucione kërkimore anembanë botës, përfshirë disa nga studiuesit më të shquar ndërkombëtarë në fushën e komunikimit dhe mediave, të cilët prezantojnë rezultatet më të reja të kërkimeve shkencore dhe zhvillimet më të avancuara të disiplinës.
Përmes këtij prezantimi, Fakulteti i Filologjisë i UP-së u përfaqësua në një nga forumet më të rëndësishme ndërkombëtare në fushën e komunikimit dhe mediave. Ky hulumtim paraqet një kontribut të rëndësishëm në studimet e komunikimit, mediave dhe migrimit, ndërsa pjesëmarrja në konferenca të tilla me standarde të larta akademike dëshmon angazhimin e vazhdueshëm të Fakultetit të Filologjisë në promovimin e kërkimit shkencor, ndërkombëtarizimin e veprimtarisë akademike dhe zhvillimin e bashkëpunimeve me institucione prestigjioze ndërkombëtare.