Në shënim të Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve 🌟

02 Qershor 2026
SHARE

Më 1 qershor, Departamenti i Gjuhës dhe Letërsisë Angleze në Universitetin e Prishtinës mirëpriti 45 nxënës nga shkolla “Bajram Curri”, në një aktivitet të organizuar nga studentët e vitit të katërt të departamentit nën udhëheqjen e Shefes së Departamentit, Blerta Mustafa.

Përmes lojërave, aktiviteteve ndërvepruese, diskutimeve për të drejtat e fëmijëve, vallëzimit dhe socializimit, fëmijët patën mundësinë të kalojnë një 1 Qershor ndryshe, në një mjedis universitar që për disa prej tyre ishte vizita e parë në fakultet.

Aktiviteti u realizua në bashkëpunim me Nita Sahitin, alumni e departamentit tonë dhe tani mësimdhënëse e gjuhës angleze në shkollën “Bajram Curri ”, e cila vazhdon të promovojë te nxënësit e saj vlerat që ka kultivuar gjatë studimeve: mësimin përtej klasës, angazhimin në komunitet dhe krijimin e përvojave kuptimplota për të rinjtë.

Se sa e veçantë ishte kjo ditë, e tregojnë më së miri vetë fëmijët. “Kjo ishte dita ime e preferuar në shkollë. U argëtova pa masë!”, tha njëri prej tyre, ndërsa një tjetër u shpreh: “Më pëlqeu shumë vizita në fakultet. Dua të vij përsëri.” Për disa, aktiviteti ishte “surpriza më e bukur për 1 Qershor”, ndërsa një nxënës na bëri veçanërisht krenarë kur tha: “Mezi pres të rritem dhe të studioj në këtë departament.” Ndoshta komenti që përmbledh më së miri emocionet e ditës ishte: “Dita më e mirë e jetës sime!”

Faleminderit Fakultetit të Filologjisë, studentëve tanë dhe të gjithë atyre që kontribuuan për ta bërë këtë ditë të paharrueshme për fëmijët. 💙📚✨