Pjesëmarrje në Konferencën Ndërkombëtare të Gjermanistëve në Ústí nad Labem, Çeki

01 Qershor 2026
SHARE

Fakulteti ynë u përfaqësua në Konferencën Ndërkombëtare të Gjermanistëve të organizuar nga Shoqata e Gjermanistëve të Republikës Çeke, e mbajtur nga 27–30 maj 2026 në Universitetin Jan Evangelista Purkyně. Konferenca, me temën “(Kreuz)Wege der Germanistik”, mblodhi studiues dhe gjermanistë nga rreth 20 shtete të ndryshme, duke krijuar një hapësirë të rëndësishme për shkëmbim akademik dhe bashkëpunim ndërkombëtar. Në këtë ngjarje shkencore morën pjesë me kumtesat e tyre Prof. Dr. Milote Sadiku dhe doktorantja MA Dalina Berisha, duke prezantuar rezultatet e punës së tyre kërkimore.

Gjatë zhvillimit të konferencës, prof Sadiku dhe asistentja Berisha patën mundësinë të takohen me përfaqësues të departamenteve dhe instituteve të gjermanistikës nga vende të ndryshme evropiane dhe më gjerë. Në këto takime u diskutuan mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimeve akademike dhe shkencore ndërmjet institucioneve tona, me fokus në mobilitetin e studentëve dhe stafit, projektet e përbashkëta kërkimore dhe aktivitetet akademike ndërkombëtare.

Veçanërisht, bashkëpunimi me gjermanistikën në Universiteti Jan Evangelista Purkyně vazhdon të zhvillohet me sukses në kuadër të marrëveshjes Erasmus+ që Fakulteti ynë ka me këtë universitet. Falë kësaj marrëveshjeje, gjatë semestrit veror aktual katër studente të Departamentit të Gjuhës dhe Letërsisë Gjermane të Universitetit të Prishtinës po i ndjekin studimet e tyre në Ústí nad Labem.

Pjesëmarrja në konferenca të tilla ndërkombëtare dhe forcimi i partneriteteve akademike kontribuojnë në rritjen e vizibilitetit ndërkombëtar të Fakultetit tonë dhe në avancimin e bashkëpunimit shkencor në fushën e gjermanistikës.