Departamenti i Orientalistikës zhvillon takim me Alumnit

28 Maj 2026
SHARE

 

Departamenti i Orientalistikës në kuadër të aktiviteteve të tij organizoi takimin me Alumni, në hapësirat e ngrohta të Departamentit duke mbledhur ish-studentë, profesorë, bashkëpunëtorë institucional dhe përfaqësues të botës akademike e të biznesit. Aktiviteti shërbeu si një mundësi për rrjetëzim, shkëmbim përvojash dhe forcim të lidhjeve ndërmjet gjeneratave të alumni-ve dhe Departamentit.

Në kuadër të ngjarjes, pjesëmarrësit patën rastin të dëgjojnë fjalime nga profesor Abdulla Rexhepi, Dekani i Fakultetitt ë Filologjisë, Agron Islami, bashkëpunëtori i lartë shkencor në Institutin e Historisë “Ali Hadri”, Qërshore Berisha, Menaxhere e Zhvillimit të Biznesit për Evropën Juglindore në PECB.

Dekani i fakultetit, i cili morri fjalën si alumni të Departmentit të Orientalistikës theksoi rëndësinë e krijimit të një rrjeti të diplomuarve të Departamentit për mundësimin e komunikimit me tregun e punës dhe se prania e secilit alumni në realizimin e strategjive të punës së Departamentit është e domosdoshme.  

Alumni Agron Islami, ndau me shumë emocion kujtimet dhe përvojat e tij nga rrugëtimi profesional, duke vlerësuar rolin e rëndësishëm që ky departament ka pasur në formimin dhe zhvillimin e tij akademik e profesional. Ai theksoi se përveç dijes dhe përgatitjes profesionale, departamenti i ka ofruar mbështetje dhe frymëzim për t’u lidhur me botën e akademisë. Ai u shpreh se këtë departament e ndjen gjithmonë si shtëpinë e tij.

Alumni Qershore Berisha, mbajti një fjalim shumë inspirues, ku ndau përvojën e saj personale dhe profesionale gjatë studimeve në këtë departament. Në veçanti, ajo vlerësoi njohuritë dhe aftësitë gjuhësore që ka fituar këtu, duke theksuar se gjuhët e mësuara në departament i kanë hapur dyer të reja për studim, komunikim dhe karrierë në ambiente ndërkombëtare.

Tubimi vazhdoi me një koktej të ngrohtë dhe miqësor, gjatë të cilit pjesëmarrësit patën mundësinë të takohen dhe të shkëmbejnë përvojat e tyre.