Në kuadër të Programit Erasmus+, katër profesorë të Fakultetit të Filologjisë të Universitetit të Prishtinës kanë qëndruar nga 11 deri më 15 maj në mobilitet akademik në University of Veliko Tarnovo 'St. Cyril and St. Methodius', me qëllim të mbajtjes së ligjëratave dhe thellimit të bashkëpunimit institucional.
Profesoresha Valbona Berisha ka mbajtur ligjëratë në Departamentin e Frëngjishtes mbi përdorimin e inteligjencës artificiale në mësimdhënie.
Profesoresha Mimoza Hasani-Pllana ka mbajtur ligjëratë me studentët e Ballkanistikës mbi përkthimin e letërsisë bashkëkohore shqipe në gjuhën bullgare.
Profesori Alban Zeneli ka mbajtur ligjëratë në Departamentin e Gazetarisë mbi sistemet mediale në Ballkanin Perëndimor dhe politikat e mediave sociale në luftimin e dezinformimit.
Profesori Faton Ismajli ka mbajtur ligjëratë në Departamentin e Gazetarisë mbi lirinë e shprehjes dhe mediat shumëgjuhësore, si dhe mbi transformimin e profesionit të gazetarisë në kohën e ndryshimeve teknologjike.
Gjatë mobilitetit, profesorët e Fakultetit të Filologjisë kanë zhvilluar takime edhe në St. Kliment Ohridski University of Sofia, me qëllim të thellimit të bashkëpunimit në mobilitet akademik, shkëmbim studentësh, kërkim shkencor dhe projekte të përbashkëta.
Gjatë qëndrimit në Veliko Tarnovo, profesorët janë pritur nga Prorektori i University of Veliko Tarnovo 'St. Cyril and St. Methodius', prof. Nikolay Kanev.
Takime janë zhvilluar edhe me dekanen e Fakultetit të Filologjisë, prof. Polina Tsoncheva, me prof. Kamen Dimitrov, përgjegjës i Departamentit të Gjuhësisë së Përgjithshme dhe Bullgarishtes së Vjetër, me shefen e Departamentit të Gazetarisë, prof. Desislava Andreeva, si dhe me profesoreshën e Departamentit të Frëngjishtes, Marinela Petrova.
Në vijim të këtij bashkëpunimi pritet nënshkrimi i marrëveshjeve të reja ndërinstitucionale ndërmjet Universitetit të Prishtinës dhe University of Veliko Tarnovo 'St. Cyril and St. Methodius'.
Gjatë vizitës në Sofje, profesorët u takuan edhe me profesoreshat Rusana Hristova-Bejleri dhe Ekaterina Tarpomanova, të cilat ligjërojnë në Degën e Ballkanistikës dhe kanë dhënë kontribut të rëndësishëm në mësimin e gjuhës shqipe, si dhe në përkthimin e letërsisë shqipe në gjuhën bullgare.
Koordinimi i vizitës është realizuar nga zonja Daniela Pandulcheva, koordinatorja e Erasmus+ në University of Veliko Tarnovo 'St. Cyril and St. Methodius', të cilën e falënderojmë për mbështetjen dhe angazhimin. Gjithashtu, falënderojmë profesorin Raqi Bello, lektor i gjuhës dhe kulturës bullgare në Universitetin e Prishtinës dhe koordinator i programit Erasmus me Veliko Tarnovën, për kontributin dhe koordinimin e këtij bashkëpunimi.