Botimi i librit të ri shkencor nga Departamenti i Gjuhës dhe Letërsisë Gjermane
Departamenti i Gjuhës dhe Letërsisë Gjermane i Fakultetit të Filologjisë ka kënaqësinë të njoftojë botimin e librit “Framing – Beziehung zwischen Sprache und Wirklichkeit”, një përmbledhje studimesh shkencore të cilat trajtojnë marrëdhënien ndërmjet gjuhës dhe realitetit në kontekste të ndryshme gjuhësore, letrare dhe kulturore.
Ky botim përfshin kontribute nga studiues të disa fushave, përfshirë gjuhësinë, letërsinë, studimet kulturore, mediat, didaktikën e gjermanishtes si gjuhë e huaj dhe translatologjinë. Artikujt e përmbledhur në këtë vepër pasqyrojnë diskutimet dhe rezultatet shkencore të prezantuara në Konferencën e 14-të të Shoqatës së Gjermanistëve të Evropës Juglindore (SOEGV), e cila u mbajt në Universitetin e Prishtinës nga data 3–6 maj 2023.
Libri ofron një panoramë të gjerë të qasjeve bashkëkohore ndaj konceptit të framing-ut, duke analizuar ndikimin e gjuhës në ndërtimin e perceptimit, interpretimit dhe komunikimit publik. Ai përfaqëson një kontribut të rëndësishëm për literaturën shkencore në fushën e germanistikës dhe është një dëshmi e angazhimit akademik të stafit dhe bashkëpunëtorëve të departamentit.
Departamenti i Gjuhës dhe Letërsisë Gjermane falënderon të gjithë autorët, studiuesit dhe bashkëpunëtorët e përfshirë për punën e tyre profesionale dhe kontributin e vlefshëm në realizimin e këtij botimi.