Universiteti L’Orientale i Napolit ka miratuar këtë projekt dyvjeçar, i cili udhëhiqet nga Prof. Anna De Meo, ndërsa në përbërje të grupit shkencor është edhe Prof. Blerina Suta. Projekti do të realizohet në bashkëpunim me Departamentin e Gjuhës Shqipe të Universitetit të Prishtinës, si dhe me Universitetin e Tiranës dhe Universitetin e Shkupit.
Qëllimi kryesor i projektit është zhvillimi i një certifikate të gjuhës shqipe, e cila do të shërbejë për vlerësimin dhe certifikimin e kompetencave gjuhësore të emigrantëve të brezit të dytë në Itali.
Gjuha shqipe përfaqëson një pasuri të çmuar që lidh brezat dhe ndërton ura ndërmjet kulturave. Përmes këtij kërkimi synohet të vlerësohet dhe të promovohet gjuha dhe kultura shqiptare në Itali, duke sjellë në vëmendje përvojat e atyre që jetojnë dhe veprojnë çdo ditë mes dy realiteteve kulturore.
Mësimi i gjuhës shqipe dhe ndjekja e kurseve të dedikuara gjuhës dhe kulturës së vendit të origjinës përbëjnë një mënyrë të rëndësishme për ruajtjen e rrënjëve, forcimin e identitetit personal, përmirësimin e integrimit dhe zgjerimin e mundësive në tregun e punës dhe në jetën shoqërore. Certifikimi i këtyre kompetencave nënkupton shndërrimin e tyre në një formë zyrtare njohjeje dhe përkatësie.
Projekti C_eshtra financohet nga Universiteti L’Orientale i Napolit dhe do të realizohet në periudhën 1 dhjetor 2025 – 31 dhjetor 2027.