Pjesëtarë të stafit të Fakultetit të Filologjisë ligjëruan në Universitetin UJEP në Çeki

17 Mars 2026
SHARE

Me ftesë të Universitetit UJEP në Ústí nad Labem, Çeki, dhe në kuadër të projektit të shkëmbimit Erasmus+ ndërmjet këtij universiteti dhe Departamentit të Gjermanistikës dhe Departamentit të Anglishtes të Fakultetit të Filologjisë në Universitetin e Prishtinës, disa pjesëtarë të stafit akademik të fakultetit mbajtën ligjërata për studentët dhe stafin e UJEP-it.

Ligjëratat u pritën shumë mirë nga studentët dhe stafi i universitetit mikpritës dhe zgjuan interesim të madh për temat e trajtuara, duke kontribuar në shkëmbimin akademik dhe në forcimin e bashkëpunimit ndëruniversitar.

Si rezultat i këtij bashkëpunimi, në Universitetin UJEP u organizua edhe Muaji i Gjuhës dhe Kulturës Shqiptare. Në kuadër të këtij aktiviteti u mbajt një koncert i muzikës klasike me këngë shqiptare, si dhe u shfaq një film kosovar. Këto aktivitete u mbështetën nga Ambasada e Republikës së Kosovës në Pragë.

Aktualisht, gjatë semestrit veror 2026, katër studente të Departamentit të Gjermanistikës po ndjekin studimet në Universitetin UJEP në kuadër të programit Erasmus+, duke përfituar nga mundësitë e mobilitetit akademik dhe shkëmbimit ndërkombëtar.