Në Fakultetin e Filologjisë shënohet Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Greke

10 Shkurt 2026
SHARE

Dje, më 9 shkurt 2026, në Fakultetin e Filologjisë u shënua Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Greke. Kjo ngjarje u organizua në bashkëpunim me Zyrën Ndërlidhëse të Greqisë në Prishtinë.

Në kuadër të kësaj dite, u mbajt edhe ligjërata e prof. Stavri Dajos me temë: “Përjetësia historike e gjuhës greke dhe ndikimi i saj në botën e studiuesve shqiptarë”.

Në fjalimin përshëndetës, dekani i Fakultetit të Filologjisë, Abdulla Rexhepi, pasi përshëndeti të pranishmit, theksoi se gjuha greke është një gjuhë që ka ushqyer qytetërime, ka formësuar mendime universale dhe ka lënë gjurmë të thella edhe në botën e dijes albanologjike.

Prof. Rexhepi, ndër të tjera, tha: “Këtu në Fakultetin e Filologjisë, prania e mendimit grek është pothuajse e pandashme nga vetë jeta akademike. Filozofët e lashtë grekë janë të pranishëm gati në secilën fushë të studimit dhe në shumë lëndë kurikulare. Sepse pa konceptet e tyre për logjikën, etikën, politikën, estetikën, gjuhën dhe retorikën, sot do ta kishim të vështirë të imagjinonim jo vetëm këtë Fakultet, por edhe vetë format moderne të studimit universitar.”

Ndërsa në fjalën e saj, Shefja e Zyrës Ndërlidhëse të Greqisë në Prishtinë, Ambasadorja znj. Heleni Vakali, përshëndeti pjesëmarrësit dhe foli për rëndësinë që ka pasur dhe vazhdon të ketë gjuha greke në sfera të ndryshme të jetës.

Znj. Vakali gjithashtu falënderoi Universitetin e Prishtinës për hapësirën që po i jep gjuhës dhe kulturës greke, duke përmendur edhe kurset e gjuhës greke që po organizohen në Qendrën e Gjuhëve në Fakultetin e Filologjisë, të cilat po mbahen nga znj. Zana Hoxha.

Të pranishëm në këtë aktivitet ishin stafi akademik i Fakultetit të Filologjisë, studentët e kursit të greqishtes, përfaqësues të trupit diplomatik, qytetarë grekë që shërbejnë në organizata të ndryshme ndërkombëtare në Kosovë, si dhe të tjerë.