Sot më 23 dhjetor, 2025 në ambientin e Fakultetit të Filologjisë u promovua libri “Gramatika e arabishtes standarde”, e prof. dr. Isa Memishit, e botuar nga Universiteti i Prishtinës.
Në këtë promovim për librin folën prof. Abdulla Rexhepi nga Departamenti i Orientalistikës dhe prof. Ziber Lata, nga Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup.
Në fjalën e tij, prof. Rexhepi tha se Prof. Isa Memishi, pas botimit të Sintaksës së gjuhës arabe, një vepër themelore nga e cila, ne studentët e tij, kemi marrë njohuritë e para për strukturën sintaksore të arabishtes, dhe pas botimit të veprës kolosale “Fjalori arabisht–shqip”, që përbën një pikë reference në leksikografinë shqiptare, tashmë para nesh paraqitet me një tjetër vepër tjetër monumentale: “Gramatika e arabishtes standarde”.
“Gramatika e arabishtes standarde e prof. Memishit i përket gramatikave bashkëkohore të mësimit dhe studimit të gjuhës arabe. Kjo gramatikë bazohet kryesisht në një metodologji thjesht pragmatike, por që autori nuk ka ndjekur teoritë e ndonjë shkolle të veçantë gjuhësore”, tha prof. Rexhepi.
Ndërsa prof. Ziber Lata në fjalën e tij ka përshkruar në mënyrë të detajuar përmbajtjen e librit të prof. Isa Memishit. Ai ka thënë se Gramatika e arabishtes standarde është hartuar duke pasur parasyshë përvojën shumë vjeçare të tij në mësimdhënie të kësaj gjuhe.
“Gramatika e prof. Memishit plotëson një boshllëk të madh të teksteve të mësimit dhe studimit të gjuhës arabe nga studentët shqiptarë. Kjo gramatikë ndihmon studentët sidomos në kuptimin e disa kategorive gramatikore të gjuhës arabe, të cilat studenti shqiptar hasë në vështirësi gjatë mësimit të kësaj gjuhe”, tha prof. Ziber Lata.
Në fund, fjalën e mori edhe autori i librit, prof. Isa Memishi, i cili pasi falenderoi organet e Universitetit të Prishtinës për mbështetjen dhe botimin e librit, foli dhe për shtytjet dhe synimet që ka pasur gjatë përgatitjes së kësaj gramatike.
Në këtë promovim morën pjesë profesorë, studentë, si dhe kolegë e familjarë të prof. Isa Memishit.