Në Fakultetin e Filologjisë u promovuan dy vepra studimore të prof. Abdulla Hamitit

10 Tetor 2025
SHARE

Më 10 tetor 2025, Departamenti i Orientalistikës në Fakultetin e Filologjisë promovoi dy vepra të prof. Abdulla Hamitit: “Histori e letërsisë së vjetër turke” (Shkup: Logos A, 2023) dhe “Autorë shqiptarë që krijuan në gjuhën turke-osmane – shek. XVI” (Prishtinë: Dituria Islame, 2025).

Për veprën “Histori e letërsisë së vjetër turke” foli prof. dr. Sylejman Baki, recenzent i librit dhe profesor në Departamentin e Filologjisë Orientale në Universitetin e Tetovës, ndërsa për veprën “Autorë shqiptarë që krijuan në gjuhën turke-osmane – shek. XVI” foli prof. Abdulla Rexhepi, recenzent i libit.

Libri “Histori e letërsisë së vjetër turke” ofron një panoramë të zhvillimit të letërsisë turke nga fillimet e saj deri në gjysmën e shekullit XIX, kur nis të formësohet letërsia bashkëkohore turke nën ndikimin e theksuar të letërsisë europerëndimore. Prof. Baki theksoi se kjo vepër është një ndihmesë e madhe për studiuesit e shkencave filologjike, turkologët dhe studiuesit e orientalistikës.

Ndërsa libri “Autorë shqiptarë që krijuan në gjuhën turke-osmane – shek. XVI” sjell një përshkrim panoramik të autorëve shqiptarë, ose me prejardhje shqiptare, të cilët krijuan në gjuhën turke-osmane. Prof. Rexhepi u shpreh se “kjo vepër na jep një ‘hartë leximi’ për të përfituar konkretisht nga veprat dhe idetë e shtatë personaliteteve që krijuan në turqishten osmane, duke e bërë të prekshme traditën e Divanit dhe vendin e shqiptarëve në të. Në tërësi, vepra i mëson lexuesit të lexojë letërsinë e Divanit si kulturë e gjallë, të shohë rolin e qendrave shqiptare në hartën osmane dhe ta kuptojë ‘kontributin shqiptar’ si krijim idesh, formash e stilesh, jo thjesht si prani në administratë dhe luftë”.

Në emër të Shtëpisë Botuese “Dituria Islame” foli z. Ramadan Shkodra, i cili, pasi e falenderoi prof. Hamitin për bashkëpunimin, foli në lidhje me procesin e botimit dhe redaktimit të librit.

 

Në promovim morën pjesë profesorë, studentë dhe të interesuar për studimet letrare dhe orientale.