Në 55-vjetorin e themelimit Universiteti i Prishtinës i ndan mirënjohje profesoreshës Teuta Abrashi

15 Shkurt 2025
SHARE

Universiteti i Prishtinës të premten, më 14 shkurt, në përvjetorin e 55-të të themelimit, në një ceremoni solemne e nderoi profesoreshën e Fakultetit të Filologjisë, prof.asoc.dr. Teuta Abrashi, me  mirënjohje për kontributin jetësor për edukimin e brezave të rinj, me këtë motivim: “Një jetë të tërë në mësimdhënie e edukim të gjeneratave të shumta të studentëve”.

Profesoresha Teuta Abrashi e ka udhëhequr Departamentin e Gjuhës dhe Letërsisë gjermane që nga themelimi e tij në vitin 1992. Përgjatë mbi 30 vitesh punë në Universitetin e Prishtinës ajo ka kontribuar në ngritjen profesionale të shumë brezave të studiuesve të gjermanistikës dhe në ndërkombëtarizimin e Departamentit.

Fakulteti i Filologjisë i shpreh gjithashtu mirënjohje profesoreshës Teuta Abrashi për angazhimin e saj të palodhshëm.