Gazetari

PROGRAMI DHE STUDIMET

 

REZULTATET E SYNUARA TË MËSIMNXËNIES
 

Në ndërlidhje me objektivat e këtij programi për përvetësimin e koncepteve kryesore nga fusha e studimit, aftësimin për zgjidhje të problemeve që lidhen me nevojat e medieve dhe marrëdhënieve me publikun, zhvillimin e mendimit kritik, zbatimin etik të njohurive dhe mësimin tërë jetësor, disa nga rezultatet e synuara të të nxënit, të cilat janë të publikuara në faqen zyrtare të njësisë akademike janë: - të zbatojnë njohuritë e thelluara shkencore në fushën e gazetarisë dhe shkencave të komunikimit; - të vjelin materiale për studime duke zbatuar metoda përkatëse shkencore; - të identifikojnë specifikat e studimeve të medias dhe komunikimit; - të planifikojnë aktivitete mësimore të bazuara në rezultatet e pritura; - të përdorin strategji të ndryshme të mësimit dhe të vlerësimit; - të përgatisin hulumtime të ndryshme në fushën e medias dhe të përdorin mediat digjitale në procesin mësimor. Rezultatet e të nxënit janë shkruar nga këndvështrimi i studentit dhe ato përshkruajnë njohuritë, shkathtësitë dhe kompetencën që do të fitojë një i diplomuar në programin “Gazetari”. Këto rezultate janë të publikuara në faqen zyrtare të Universitetit të Prishtinës.

Duke pasur parasysh impaktin e revolucionit teknologjik në fushën e Gazetarisë, si dhe me qëllim të përshtatjes sa më të mirë me trendet evropiane, përcaktimi i rezultateve të synuara të të nxënit është bazuar në programe të ngjashme të studimit në Hapësirën Evropiane të Arsimit të Lartë (EHEA).


 

KUALIFIKIMET E DHËNA

 

Baçelor i Gazetarisë

 

PROCEDURAT E VLERËSIMIT


Vlerësimi i studentëve bëhet sipas Statutit të UP-së dhe rregullave të Bolonjës, ku përfshihet testi, seminari dhe provimi final. 

Lëndët e planprogramit/kurrikulës ofrohen në një rrjedhë logjike që ofron mundësinë e arritjeve të rezultateve në fushën e Gazetarisë, duke siguruar kompetenca të nevojshme për studentët. 

Bazuar në specifikat e lëndëve, metodologjia e vlerësimit është e përcaktuar në syllabus dhe i është përshtatur rezultateve individuale të të nxënit. Asnjë nga lëndët nuk e ka provimin përfundimtar me më shumë se 50% të vlerësimit të përgjithshëm. Pjesët tjera i takojnë vlerësimit të vazhdueshëm nëpërmjet testeve mes semestrale, seminareve, detyrave e projekteve semestrale, të cilave mund të variojnë sa i përket kalkulimit të notës.

Kërkesat që duhet të përmbushin studentët dhe metoda e vlerësimit të tyre janë të përcaktuara qartë në syllabuset e lëndëve, me të cilat studentët njoftohen në fillim të semestrit. Përvec njoftimit, syllabuset e secilës lëndë janë publike në faqen e Fakultetit të Filologjisë dhe janë të qasshme jo vetëm për studentët por edhe për publikun. 


 

MUNDËSITË E LARMISHME TË MËSIMNXËNIES
 

Programi i studimit është dizajnuar mbi bazën e metodologjisë së mësimdhënies dhe mësimnxënies me studentin në qendër. 

Programi aplikon metoda të avancuara të mësimdhënies që konsistojnë në nxitjen e interaktivitetit dhe debateve për çështje/probleme të ndryshme. Krahas angazhimit të studentëve për pjesën teorike, ata angazhohen individualisht apo të ndarë në grupe për detyra të caktuara në prodhimin e përmbajtjeve të ndryshme mediale, fjala vjen lajme për portale, storje televizive, artikuj për revista, përmbajtje për media sociale, etj. Gjithashtu, studentët angazhohen në detyra që nxisin të meduarit kritik dhe aftësitë për punë kërkimore si Fushata, Hulumtime, Analiza, etj. Zhvillimi i hulumtimit shkencor përbën një ndër shtyllat më të rëndësishme të programit, me qëllim të përgatitjes sa më të lartë të studentëve, si për karrierën e tyre akademike, ashtu edhe për punën profesionale në fushën e medieve.

Gjithashtu, programi ofron mundësi për mësimnxënie përmes punës praktike në laboratorë, si MediaLab, Laboratori i UP Podcast dhe Mobile Journalism.