Promovohet libri “Leximi kritik i tekstit”

20 Dhjetor 2022
SHARE

Departamenti i Orientalistikës në Fakultetin e Filologjisë në bashkëpunim me Kuvendin e Sociologjisë nga Fakulteti Filozofik i Universitetit të Prishtinës më datën 14 dhjetor promovuan librin: "Leximi kritik i Tekstit I: Kritikë e arsyes islame" dhe ""Leximi kritik i Tekstit II: Hermeneutikë moderne e arsyes islame" të redaktuar nga Gëzim Selaci dhe Abdulla Rexhepi, profesorë të UP.

Për librin folën prof. ass. Dr. Ardian Gola dhe MA. Lirika Demiri, ndërsa promovimi u moderua nga prof. ass. Dr. Zekije Xhafçe.

Abdulla Rexhepi, profesor në Fakultetin e Filologjisë, në fjalën e tij gjatë promovimit theksoi se, atyre si redaktorë të këtyre librave ideja për këtë projekt ju ka lindur nga përvoja e tyre e përbashkët e leximit të autorëve të njëjtë, të cilët kanë pasur ndikim të madh, gati tronditës për ta, por çlirues dhe emancipues në shumë dimensione. Sipas profesorit Rexhepi, në përgjithësi diskursi islamist është i pajisur me epistema teologjike dhe fetare dhe synon të na bindë se e kaluara e qytetërimit islam është homogjene dhe ortodokse, duke krijuar kështu idenë se në atë botë gjithnjë ka mbizotëruar vetëm një kuptim, një intepretim apo një praktikë e islamit dhe mbase secili njeri duhet të jetë pjesë e kësaj tradite.

Ndërsa Gëzim Selaci në lidhje me librin u shpreh, se qëllimi i përgjithshëm i librit është që t’i kontribuojë nxitjes së mendimit, e lexuesi duhet të vendosë vet se cilave qëllime në veçanti u shërben libri, pra ata do të vendosin se si do ta lexojnë librin dhe për çfarë qëllimesh do ta përdorin.”

Në fund, pjesëmarrësit zhvilluan edhe një bashkëbisedim me redaktorët e librit Abdulla Rexhepi dhe Gëzim Selaci.