Në kuadër të projektit të përbashkët me Departamentin e Gjuhës gjermane të Universitetit të Edirnes “Deutsch als Brücke: Sprachliche und kulturelle Zusammenarbeit albanischer und türkischer Studierender” (“Gjermanishtja si urë lidhëse: Bashkëpunim gjuhësor dhe kulturor në mes të studentëve shqiptarë dhe turq”), i cili udhëhiqet nga mësimdhënëset e Departamentit të Gjermanistikës Milote Sadiku dhe Sadije Rexhepi, si dhe nga mësimdhënësja Çağlayan Karaoğlu Bircan nga Universiteti i Edirnes, prej 22-23 mars 2024 në Departamentin e Gjuhës dhe Letërsisë Gjermane qëndruan 10 studentë të Universitetit të Edirnes me mësimdhënësen e tyre. Në fazën e parë të projektit në ambientet e Fakultetit të Filologjisë në UP u mbajt një workshop dyditor, në të cilin studentët turq dhe shqiptarë analizuan tekste të reklamave në gjuhën gjermane, shqipe dhe turke, të cilat përmbajnë njësi frazeologjike. Reklamat në të tri gjuhët u analizuan nga aspekti kulturor dhe gjuhësor, ndrësa njësitë frazeologjike shqipe, turke dhe gjermane u krahasuan edhe nga aspekti i ekuivalencës në frazeologjinë kontrastive. Rezultatet e punës grupore studentët e të dy universiteteve i prezantuan në fund të ditës së dytë. Duke u bazuar në tekstet e reklamave të analizuara ata nxorën në pah ngjashmëritë dhe dallimet kulturore dhe gjuhësore në mes të këtyre tri gjuhëve.
Gjuha e komunikimit dhe e punës gjatë workshopit ka qenë gjuha gjermane, që ka shërbyer si urë lidhëse në mes të studentëve turq dhe shqiptarë. Studentët e Universitetit të Edirnes dhe mësimdhënësja e tyre u shprehën shumë të kënaqur për mbarëvajtjen e punës dhe të aktiviteteve të planifikuara si dhe për mikëpritjen e tyre në Prishtinë.
Qëllimi i këtij projekti është inicimi dhe zhvilimi i një bashkëpunimi gjuhësor dhe kulturor në mes të studentëve dhe mësimdhënësve të Gjuhës gjermane të të dy Universiteteve të lartpërmendura. Faza e dytë e projektit do të zhvillohet në Universitetin e Edirnes prej 15-18 maj 2024.