Nënshkruhet memorandum bashkëpunimi ndërmjet Universitetit të Prishtinës, përkatësisht, Fakultetit të Filologjisë dhe Fakultetit të Edukimit të Universitetit të Trakias të Edirnes, Turqi, me fokus shkëmbimin e stafit akademik, të studentëve dhe të zhvillimit të bashkëpunimeve të reja në fushën e shkencave filologjike dhe të edukimit. Memorandumi u nënshkrua si vazhdimësi e një bashkëpunimi konkret ndërmjet Departamentit të Gjuhës dhe Letërsisë gjermane në UP-së dhe Departamentit të Gjuhës gjermane të Fakultetit të Edukimit të Edirnes, të iniciuar më herët e që pritet të vazhdojë edhe gjatë vitit të ardhshëm akademik.
Memorandumi i bashkëpunimit u nënshkrua nga dekanet, prof. dr. Lindita Rugova Rugova dhe prof. dr. Sevinç Maden, në praninë e prodekanëve, mësimdhënësve dhe të studentëve të këtyre dy fakulteteve. Përveç këtij memorandumi, dekanet e të dy fakulteteve biseduan edhe për mundesinë e lidhjes së marrëveshjes Erasmus+ për shkëmbim të studentëve dhe stafit të të dy institucioneve tona.
Vizita e Dekanes Rugova dhe e prodekanëve në në Universitetin e Trakias u realizua prej 15-18 maj 2024 në kuadër të workshopit të organizuar në mes të studentëve të gjuhës gjermane të UP-së dhe të Edirnes. Ky rrugëtim i këtij shkëmbimi ndërkulturor dhe gjuhësor në mes të studentëve turq dhe shqiptarë filloi qysh në muajin mars 2024, kur studentët turq vizituan Fakultetin e Filologjisë dhe Departamentin e Gjermanistikës në Prishtinë. Bashkëpunimi mes studentëve turq dhe kosovarë rezultoi jo vetëm si një përvojë interesante, por edhe një reflektim i rëndësishëm mbi fuqinë e gjuhës për të ndërtuar ura lidhëse ndërmjet kulturave. Në fund të workshopit dyditor dekanja e Fakulteti të Filologjisë të UP-së, prof. dr. Lindita Rugova, dhe dekanja e Fakultetit të Edukimit të Universitetit të Trakias, prof. dr. Sevinç Maden, u ndanë studentëve dhe mësimdhënëseve certifikata pjesëmarrjeje.