Transformimi digjital po përshpejtohet: Teknologjia si mjet pune, jo zëvendësim.

16 Dhjetor 2024
SHARE

Cilat janë sfidat dhe përparësitë e teknologjisë në mësimdhënie dhe mësim-nxënie, çfarë thonë profesorët, studentët dhe ekspertët, dhe si mund t'i kapërcejmë këto me kujdes, ishin disa nga temat kryesore të tryezës së sotme. 

 

Prorektori Naim Jerliu,  Prorektor për Mësimdhënie, çështje të personelit akademik dhe

botime në Universitetin e Prishtinës, foli për hapat konkret që po ndërmerr Rektorati i Universitetit të Prishtinës, të cilët përqendrohen në elementet e mësimdhënies. Ai theksoi se do të realizohet një vlerësim i digjitalizimit nga burime të jashtme, dhe më pas do të hartohet strategjia për mësimdhënie.

 

Dekani i Fakultetit Filologjik, Abdulla Rexhepi,  theksoi se, megjithatë, ekziston një lloj shprese, pasi pas çdo mjeti teknologjik qëndron gjithmonë një person ose qenie njerëzore.

 

Shefi i Departamentit të Gazetaris, profesor Muhamet Jahiri,  gjithashtu shtjelloi gjetjen e një mesi të artë mes përparësive dhe sfidave që i ka teknologjia. 

 

 

Profesori Blerim Rexha, Profesor i Shkencave Kompjuterike në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike, theksoi se konceptet e "transformimit" dhe "digjitalizmit" janë të dyja komplekse, por, historia na ndihmon të gjejmë përgjigje për to. Sipas tij, një kalkulator i shpikur mund të ketë hasur në rezistencë në një kohë të caktuar, por gjithsesi ka evoluar në një mjet të shpejtë pune për teknologjinë. Profesor Rexha vlerësoi se roli i profesorëve ka kaluar në ndryshime të rëndësishme dhe se ky proces duhet të përqafohet, duke e parë si një mundësi për të ndihmuar dhe mbështetur mësimdhënien e ardhshme.

 

Atdhe Lila, jurist nga Instituti për Teknologji dhe Shoqëri, shpjegoi përgjigjet ligjore ndaj ndryshimeve teknologjike. Ai theksoi se rregullimi nuk duhet të jetë vetëm ligjor, por mund të përfshijë edhe metoda ndaluese, ndonëse këto mund të jenë të vështira për t'u implementuar. Gjithashtu, ai theksoi se duhet të merret parasysh edhe aspekti edukativ në implementimin e këtyre ndryshimeve.

 

Blerta Zeqiraj, nga Parlamenti Studentor, foli se studentët e UP-së nuk do të mund të shmangin transformimin që po ndodh, por theksoi se jo gjithmonë burimet që gjenden përmes makinave digjitale janë të besueshme.

 

Tyreza u organizua nga Departamenti i Gazetarisë dhe “OSF-WB Alumni Network” (Fondacioni për Shoqëri të Hapur).