U përmbyll me sukses java e parë e Seminarit të Albanologjisë në Filologjik të UPsë

22 Gusht 2023
SHARE

Aktivitetet shkencore, didaktike dhe kulturore të Seminarit Ndërkombëtar të Gjuhës, të Letërsisë dhe të Kulturës Shqiptare e përmbyllën javën e parë të tij me shumë sukses dhe tashmë kanë hyrë në javën e dytë. Prania e emrave të shquar në fushë të studimeve albanologjike dhe shpalosja e rezultateve të tyre shkencore, si dhe interesimi i madh i seminaristëve për ta mësuar shqipen, janë tregues të rëndësishëm të mbarëvajtjes së frytshme të këtij edicioni të 41të të Seminarit të Prishtinës.

 

Përpos kurseve intensive të shqipes që po mbahen dy herë gjatë ditës, ligjërata, referime dhe vizita e aktivitete të ndryshme kulturore janë realizuar sipas programit të paraparë nga drejtoria e Seminarit. Ora e Rexhep Ismajlit, e cila e shënoi hapjen e pjesës shkencore të ligjëratave në Seminar, filloi me ligjëratën e prof. Muhamedin Kullashit. Në ditët në vijim u realizuan ligjërata e akademikut kroat Ranko Matasović, ligjërata nga historiani Prof. David Hosaflook, ligjërata e akademik Hivzi Islamit për Vendbanimet më Kosovë, në bashkëpunim me kolegët nga departamenti i Gjeografisë si dhe në sesionin e referimeve u prekën temat rreth identiteteve, diplomacisë dhe miteve të prezantuara nga diskutimet e studiuesve nga Franca, Polonia, Turqia, dhe SHBA-ja. Në ditën e pestë, u mbajtën dy ligjërata, një nga historiani Oliver Jens Schmitt, njëherit edhe anëtar i Akademisë Austriake dhe anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, e cila nxiti interesim të jashtëzakonshëm të pjesëmarrësve në ligjëratë edhe nga publiku i gjerë, si dhe ajo e prof. Konrad Clewing nga Universiteti i Regensburgut dhe Grazit. Profesori Schmitt i prezantoi argumentat e tij që lidhen me temën Kosova dhe Shqipëria: dy rrugë të hisotorisë shqiptare: 1912-2023, ndërkaq Konrad Clewing diskutoi për shtetndërtimin e Kosovës.

Krahas pjesës shkencore dhe asaj të mësimdhënies, është realizuar takimi tradicional me dekanen e Fakultetit të Filologjisë, si dhe pjesa kulturore e programit që përfshinte vizitën në Muzeun Etnologjik të Kosovës për t'i parë koleksionet e veshjeve popullore dhe atë të filigranit, u realizua me shumë sukses koncerti me këngë arbneshe i dy muzikologeve arbneshe nga Zara e Kroacisë, u organizua ndeja nga komuna e Prishtinës, si dhe u realizuan dy ekskursione, njëri në Shkup në bashkëpunim me departamentin e albanologjisë së atjeshme, ku edhe u mbajt një ligjërata nga fusha e letërsisë shqipe, si dhe ekskursioni në Shëngjin i mbështetur nga MKRS-ja për t'u njohur për së afërmi me gërshetimet e modernes dhe tradicionales në kuzhinën shqiptare nga master shefat shqiptarë..

Seminari Ndërkombëtar i Gjuhës, i Letërsisë dhe i Kulturës Shqiptare është ngjarja më e rëndësishme shkencore dhe kulturore e albanologjisë që organizohet që nga viti 1974 nën ombrellën e Fakultetitt të Filologjisë në kuadër të UP-së dhe është ngjarja kryesore e afirmimit dhe e ndërkombëtarizimit të albanologjisë në botë.