Në kuadër të projektit shkencor për Përkthimin e Veprave Letrare Turke në Gjuhën Shqipe, më 25 shkurt 2025 u organizua promovimi i përkthimit të novelës së njohur turke “Tregim i Gjatë” ("Uzun Hikaye") nga autori Mustafa Kutlu. Ky proces u zhvillua falë përkushtimit dhe angazhimit të studentëve të Departamentit të Orientalistikës dhe Departamentit të Gjuhës dhe Letërsisë Turke, nën udhëheqjen e shefes së Departamentit të Orientalistikës, prof. Zeqije Xhafçe.
Në këtë aktivitet akademik morën pjesë dekani i Fakultetit të Filologjisë, Drejtori i Institutit Yunus Emre, përfaqësuesit të institucioneve të republikës së Turqisë, profesorët e Fakultetit të Filologjisë të Universitetit të Prishtinës dhe Fakultetit të Gjuhëve të Huaja në Tiranë, studentë dhe dashamirës së letërsisë.
Dekani i Fakultetit të Filologjisë prof. Abdulla Rexhepi përgëzoi studentët dhe profesorët për përkushtimin e tyre dhe theksoi rolin kyç të bashkëpunimit akademik dhe institucional në pasurimin e kulturës dhe studimeve gjuhësore, duke vlerësuar veçanërisht partneritetin me Institutin Yunus Emre. Ndërkohë, Drejtori i Institutit Yunus Emre, z. Ramazan Yılmaz, e cilësoi këtë projekt si një urë të rëndësishme bashkëpunimi midis botës shqiptare dhe asaj turke. Shefja e Departamentit të Orientalistikës, theksoi se kjo punëtori përbën një hap të rëndësishëm për edukimin gjuhësor dhe për avancimin e përkthimit letrar si një disiplinë akademike. Ajo u shpreh se studentët jo vetëm që arritën të sjellin në shqip një roman të rëndësishëm, por edhe të kuptojnë më thellë nuancat e kulturës turke dhe sfidat që përkthimi letrar paraqet.
Aktiviteti u pasurua me ligjëratën e prof. Nerimane Kamberi nga Departamenti i Gjuhës dhe Letërsisë Frënge, e cila trajtoi finesat e përkthimit, duke theksuar aspektin artistik dhe interpretues. Për ta ilustruar, ajo solli shembuj nga përkthimet letrare botërore, duke analizuar ndikimin e nuancave gjuhësore dhe veçantive kulturore në përjetimin e një vepre në gjuhë të ndryshme. Një moment i veçantë i këtij promovimi ishte prezantimi nga studentët, të cilët ndanë përvojën e tyre gjatë përkthimit të romanit.
Ky promovim konfirmoi angazhimin e Universitetit të Prishtinës për të mbështetur përkthimin letrar dhe për të krijuar ura të reja kulturore përmes gjuhës dhe letërsisë. Departamenti i Orientalistikës dhe ai i Gjuhës dhe Letërsisë Turke falënderojnë të gjithë pjesëmarrësit dhe shpresojnë që projekte të tilla të vazhdojnë të inkurajohen dhe të zhvillohen edhe më tej.