Në ambientet e Fakultetit të Filologjisë promovohet Vepra e Sami Frashërit

03 Mars 2025
SHARE

Prishtinë, 27.02.2025 – Departamenti i Orientalistikës organizoi promovimin e veprës së Sami Frashërit. Në këtë aktivitet akademik morën pjesë studiues të veprës së Sami Frashërit, profesorë e studentë. Këtë aktivitet e hapi dekani i Fakultetit të Filologjisë, prof. Abdulla Rexhepi, i cili i përshëndeti të pranishmit me një fjalë rasti. Prof. Rexhepi theksoi rëndësinë e kësaj përmbledhjeje të veprës së Sami Frashërit si një burim i çmuar për studimet orientale dhe shqiptare. Ai vlerësoi punën e Departamentit të Orientalistikës për ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë intelektuale të Sami Frashërit dhe u shpreh se kjo vepër duhet të shërbejë si pikë referimi për studiuesit e rinj. Fjalën e mori edhe  përfaqësuesi i shtëpisë botuese Logos-A, z. Husamedin Abazi, i cili foli mbi procesin e botimit dhe rëndësinë e sjelljes së këtyre teksteve në dritën e lexuesit të sotëm. Ai nënvizoi faktin se Sami Frashëri mbetet një figurë kyçe jo vetëm për shqiptarët, por edhe për studimet orientale në përgjithësi, dhe se ky botim është një dëshmi e përkushtimit të studiuesve shqiptarë ndaj trashëgimisë së tij.

Një kontribut të veçantë në këtë diskutim dha prof. Abdulla Hamiti, i cili paraqiti një analizë të të gjitha veprave të Sami Frashërit të shkruara në gjuhën shqipe dhe të përfshira në këtë botim. Ai theksoi se këto vepra, që përfshijnë gramatikën e parë shqipe, librat e gjeografisë, qytetërimit dhe dramat e para, shërbyen si gurthemel për zhvillimin e mendimit dhe identitetit shqiptar dhe osman.

Ndërkohë, prof. Artan Puto, i ardhur nga Tirana, ofroi një perspektivë të gjerë historike mbi kontributet e Sami Frashërit, duke analizuar ndikimin e tij jo vetëm në kulturën shqiptare, por edhe në atë osmane dhe turke. Ai theksoi se Samiu, përmes shkrimeve të tij politike, filozofike dhe enciklopedike, krijoi një urë të fortë midis Lindjes dhe Perëndimit dhe la një trashëgimi që vazhdon të studiohet edhe sot.

Një aspekt i rëndësishëm i këtij promovimi ishte fakti që shumica e përkthimeve të veprave të Sami Frashërit nga osmanishtja në shqip janë realizuar nga ish-anëtarë të stafit akademik të Departamentit të  Orientalistikës.  Ky fakt u përmend nga shefja e Departamentit të Orientalistikës prof. Zeqije Xhafçe si një dëshmi e vazhdimësisë së përkushtimit akademik për të ruajtur dhe përhapur trashëgiminë intelektuale të kombit shqiptar.

Në mbyllje të këtij eventi, të pranishmit theksuan nevojën për të vazhduar studimin dhe promovimin e veprave të Sami Frashërit, duke vënë theksin te rëndësia e përkthimeve të reja dhe analizave akademike mbi figurën dhe mendimin e tij.

Departamenti i Orientalistikës e falënderon të gjithë pjesëmarrësit dhe studiuesit që kontribuuan në këtë event dhe shpreson që ky promovim të shërbejë si një nxitje për studime të mëtejshme mbi figurën dhe veprën e Sami Frashërit.