Studentet prezantojnë vizionin për median e së ardhmes në Komisionin e Pavarur të Mediave

17 Prill 2024
SHARE

Studentet e Departamentit të Gazetarisë kanë prezantuar vizionin për të ardhmen e medias në Komisionin e Pavarur të Mediave të Kosovës.

Studentet Rijona Vojvoda dhe Zana Pllana, në prezantimin e tyre në këtë takim kanë treguar për sfidat e gazetarëve, duke e vënë theksin në rolin e rregullatorëve të medias.

Vojvoda tha që ky projekt parasheh që deri në vitin 2040 gazetarët do të jenë të pavarur, të sigurt dhe të mbrojtur nga çdo ndikim negativ, si dhe do të përdorin teknologjinë në mënyrë etike, kështu duke krijuar një publik të mirinformuar. Ndërsa, Pllana prezantoi sfidat me të cilat përballen gazetarët, si dhe faktorët që ndihmojnë në kapërcimin e këtyre sfidave për realizimin e vizionit të mediave të pavarura dhe etike në Ballkanin Perëndimor.

Në anën tjetër, drejtori i KPM-së, Jeton Mehmeti i përgëzoi studentet për punën e bërë, duke thënë se KPM-ja do të jetë përkrahëse e këtij vizioni, për të krijuar një mjedis në të cilën gazetarët punojnë lirshëm dhe të pavarur. Ndërkaq, kryeshefi ekzekutiv i KPM-së, Faruk Rexhaj u uroi suksese studenteve dhe profesorëve në aktivitetet e ardhshme, të cilat po zhvillohen në kuadër të këtij projekti.

“Media2040” është projekt që përfshinë gjashtë vende të Ballkanit Perëndimor dhe mbështetet nga Embassy of the Netherlands in Kosovo.