Në kuadër të projektit “Narrativat në komunitetet arbëreshe të Sicilisë në Itali”, të mbështetur nga MASHT-i, grupi i studiuesve të Fakultetit të Filologjisë, kryesisht mësimdhënës të Departamentit të Gjuhës Shqipe, kanë kryer vizita studimore në Horën Arbëreshe (Piana degli Albanesi) dhe Kuntisë (Contesa Entellina) në rrethin e Palermos. Po ashtu, kanë vizituar edhe ambientet arbëreshe në Palermo – para së gjithash, Kishën Arbëreshe. Qëllimi i kësaj ekspedite ishte që të vështrojë gjendjen aktuale gjuhësore e kulturore të arbërishtes së Sicilisë në Itali, në menyrë që të bëhet adresimi i nevojave të komunitetit arbëresh në institucionet shtetërore në Kosovë, mbi të cilat do të mund të ndërmerren projekte të reja që do ta ndihmonin jetën kulturore të këtij komuniteti, përkatësisht ruajtjen e identitetit përmes elementeve të tilla si gjuha arbëreshe, doket, zakonet etj. Identifikimi dhe regjistrimi i këtij realiteti dhe nevojave të tyre është shumë me rëndësi.
Fakulteti i Filologjisë ka realizuar me këtë rast edhe një marrëveshje bashkëpunimi me Universitetin e Palermos.
Gjashtë vjet më parë, studiues të Departamentit të Gjuhës Shqipe kanë kryer vizitë të ngjashme në Kalabri, me ç’rast kanë vizituar 14 nga 21 fshatrat arbëreshe të asaj zone. Vizita qe kurorëzuar me një varg punimesh studimore që më pas janë publikuar në një përmbledhje të veçantë në formë monografie.