Shënohet 30 vjetori i Departamentit të Gjuhës dhe Letërsisë Gjermane në Prishtinë

22 Nëntor 2022
SHARE

Sot në hapësirat e Fakultetit të Filologjisë (UP), me rastin e tridhjetë vjetorit të themelimit të Departamentit të Gjuhës dhe Letërsisë Gjermane u mbajt konferenca shkencore me titull: 𝐏𝐞𝐫𝐬𝐩𝐞𝐤𝐭𝐢𝐯𝐚 𝐞 𝐬𝐭𝐮𝐝𝐢𝐦𝐞𝐯𝐞 𝐭ë 𝐆𝐣𝐞𝐫𝐦𝐚𝐧𝐢𝐬𝐭𝐢𝐤ë𝐬 𝐧ë 𝐄𝐯𝐫𝐨𝐩ë𝐧 𝐉𝐮𝐠𝐥𝐢𝐧𝐝𝐨𝐫𝐞.

Konferenca u hap nga shefja e Departamentit të Gjuhës dhe Letërsisë Gjermane prof. asoc. dr. Teuta Abrashi, e cila në një fjalim rasti kujtoi themelimin dhe fillet e këtij Departamenti, përkujtoi dhe falendëroi kontribuesit në zhvillimin e departamentit, përkatësisht stafin e atëhershëm akademik, ambasadën gjermane, austriake dhe zvicërane, zyrat ndërlidhëse DAAD dhe OeAD si dhe donatorët nga vendet e ndryshme gjermanishtfolëse. Ajo theksoi poashtu bashkëiniciativën për themelimin e Shoqatës së gjermanistëve të Evropës Juglindore (SOEGV) dhe nënvizoi paralelisht arritjet në fushën e bashkëpunimeve të shumta me universitetet e vendeve gjermanishtfolëse dhe programeve të bursave, duke vënë në pah gjithashtu edhe perspektivën e të diplomuarve të gjermanistikës.

Dekanja e Fakultetit të Filologjisë prof.dr. Lindita Rugova në fjalën e saj drejtuar të pranishmëve i uroi studentët dhe stafin e gjermanistikës në këtë përvjetor të themelimit të departamentit. Ajo e theksoi kontributin e madh të stafit dhe entuziazmin e studentëve që kanë punuar dhe studiuar në sistemin paralel në vitet e 90-ta, e sipas saj, sot ky departament është njëri ndër departamentet më të mëdha në fakultet  me potencial të madh. Dekanja Rugova i dhuroi me këtë rast mirënjohje shefes së së departamentit prof. Teuta Abrashit, e cila ishte gruaja e parë në këtë pozitë në Fakultetin e Filologjisë.

Në një fjalë rasti publikut iu drejtua edhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde, i cili shquajti marrëdhëniet e shkëlqyeshme mes Gjermanisë dhe Kosovës, marrëdhënie në të cilat la të kuptohet se reflektohet qartazi ndikimi i Departamentit të Gjuhës dhe Letërsisë Gjermane. Ai falënderoi Gjermanistikën për angazhimin e palodhshëm në tridhjetë vitet e fundit, duke e nderuar veçanërisht veprimtarinë e mësimdhënësve dhe sakrificën e tyre në periudhën e para dhe pas luftës. Duke kaluar nga fillet e mësimdhënies së gjuhës gjermane „në ilegalitet“ e deri tek interesimi i shumëfishuar për studiuar gjuhën gjermane sot, ai dha një tablo të rrugëtimit 30-vjeçar të Gjermanistikës në Prishtinë.

Christoph Weidinger, ambasadori i Austrisë, theksoi kontributin e larmishëm të Austrisë në fuqizimin e Departamentit të Gjermanistikës në Prishtinë, duke përmendur specifikisht zhvillime pozitive ndër vite, si: hapja e Biblotekës Austrikake apo aktivizimi i lektoratit të OeAD-së. Ai veçoi poashtu faktin se ky departament është një partner i rëndësishëm për qasjen ndaj letërsisë austriake, gjë kjo e ilustruar si me ekspozitën për Ilse Aichinger deri te leximet me autorë austriakë, siç ishte së fundmi takimi letrar me Anna Kim.

Edhe ambasadori i Zvicrës në Kosovë, Thomas Kolly uroi në fjalën e tij përshëndetëse jubileun e 30të të Gjermanistikës në Prishtinë, ku tha se Departamenti i Gjuhës dhe Letërsisë Gjermane luan një rol vendimtar dhe aktiv në përafrimin e shoqërive të vendeve gjermanishtfolëse dhe Kosovës dhe në shfrytëzimin optimal të potencialit ekonomik.

Prof. dr. Vedad Smailagić, kryetar i Shoqatës së Gjermanistëve të Evropës Juglindore (SOEGV), iu bashkua konferencës përmes platformës online. Ai çmoi këtë jubile si festën e të drejtës për arsimim dhe studim. Ai kujtoi bashkëpunimin e ngushtë me profesorët e Universitetit të Prishtinës në kuadër të SOEGV-së.

Ambasadori i Republikës së Kosovës në Austri dhe alumni i Gjermanistikës së UP-së, z. Lulzim Pllana, tha se është i lumtur të festojë sot së bashku me departamentin e Gjermanistikës këtë 30-vjetor të studimit të gjuhës dhe letërsisë gjermane, duke cilësuar se gjuha gjermane na afron drejt qëllimit tonë politik të drejtuar kah vendet perëndimore.

Për historikun e themelimit të Departamentit të Gjuhës dhe Letërsisë Gjermane foli prof. asoc. dr. Vjosa Hamiti, e cila dha një pasqyrë të veçorive që e kanë përcjellur Departamentin gjatë tri dekadave, nisur kështu nga themelimi i Departamentit nën regjimin serb, mbajtja e mësimit në shtëpitë-shkolla, kthimi në ambientet e Universitetit të Prishtinës pas mbarimit të luftës në Kosovë deri te arritjet e Departamentit pas 30 viteve punë të vazhdueshme. Ajo poashtu theksoi përkushtimin shumëvjeçar për të krijuar marrëdhënie bashkëpunimi me universitetet e vendeve gjermanofolëse dhe rëndësinë e lektoratit të DAAD-së dhe OeAD-së.

Në pjesën e dytë të konferencës u mbajt seksioni shkencor, ku u prezantuan punime mbi perspektivën e studimeve të Gjermanistikës në Evopën Juglindore. Për studimet e gjermanistikës në Kosovë prezantuan prof. dr. Milote Sadiku, prof.asoc.dr. Albulena Blakaj e prof.ass.dr. Blertë Ismajli. Nga Gjermanistika e Tiranës u paraqitën me kumtesa në këtë aktivitet prof.dr. Marsela Likaj dhe prof. dr. Brikena Kadzadej. Për perspektivat e studimeve të gjermanistikës në Maqedoninë veriore me një kumtesë u paraqit prof. dr. Gëzim Xhaferri, po ashtu alumni i gjermanistikës së Prishtinës. Ndrësa prof. dr. Vedad Smailagić  prezantoi perspektivat e studimeve të gjermanistikës në Evropën Juglindore.

Në këtë solemnitet u bë edhe hapja zyrtare e ekspozitës së rrugëtimit tridhjetvjeçar të Gjermanistikës në Kosovë. Ndërsa dekanati i Fakultetit të Filologjisë për të pranishmit organizoi një koktej rasti.