Ndahet nga jeta profesori i letërsisë angleze Abdullah Karjagdiu

28 Gusht 2021
SHARE

Sot morëm lajmin e hidhur për vdekjen e profesorit të letërsisë anlgeze, njërit prej profesorëve të parë universitarë në Kosovë, përkthyesit dhe intelektualit të shquar, prof.dr. Abdullah Karjagdiut.

I lindur në vitin 1936 në Prizren, gjatë karrierës së tij të larmishme, ka ushtruar detyra dhe funksione të ndryshme brenda UP-së: shef departamenti, prodekan, dekan, drejtor i inistitutit të gjuhëve, kryetar i shoqatës së shekspirologëve, si dhe ka dhënë kontribut të çmuar në fushën e arsimit në përgjithësi.

Ka marrë pjesë në shumë konferenca ndërkombëtare, ka botuar libra studimorë, si dhe ka përkthyer shumë artikuj, publikime shkencore e kryevepra nga fusha e letërsisë.

Në emër të personelit të Fakultetit të Filologjisë të UP-së u shpreh ngushëllimet më të thella familjes, miqve e kolegëve tjerë për vdekjen e profesorit tonë të çmuar.

Profesori Abdullah ishte shembull i solidaritetit dhe i miqësisë, pati guxim dhe kreativitet dhe reflektoi pozitivitet në çdo mjedis ku qe i pranishëm.

Do të na mungojë shumë, mbetet i paharrueshëm kujtimi ynë për profesorin tonë.

I qoftë dheu i lehtë!