Fillon edicioni i 39-të i Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare

24 Gusht 2021
SHARE

Sot është bërë hapja solemne e punimeve të Seminarit XXXIX Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare. Në këtë solemnitet ishin të pranishëm: Albin Kurti, Kryeministër i Kosovës; Hajrullah Çeku, Ministër i Kulturës; Edona Maloku, zëvendësministre e Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë; Naser Sahiti, Rektor i Universitetit të Prishtinës; Sabri Laçi, Dekan i Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë; Lindita Rugova, Dekane e Fakultetit të Filologjisë, Shkumbin Munishi, drejtor i Seminarit; Dhurata Shehri, bashkëdrejtore e Seminarit, akademikë, profesorë dhe seminaristë.

Ceremonia nisi me fjalimin e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili e theksoi rëndësinë që ka albanologjia në kulturën e një vendi. Ai ka shtuar se mësimi i shqipes duhet të shtrihet në tërë vendet ku ka shqiptarë.

 “Shkenca nuk është procedurë njohjeje, por transformator i madh dhe ajo është prodhues kulture. Sa më specifike është një shkencë, aq më shumë përfshin në vete dijen dhe në këtë pikë kam kuptuar se albanologjia është hulumtim i formave të të thënave. Ne duhet të synojmë shkencën më të lartë të shqipes dhe këtu mendohet mësimi i shqipes nga mësuesit tanë në mërgatë. Ne zotohemi për përpjekje maksimale dhe sukseset nuk do të na mungojnë”.

Në një fjalë rasti, zëvendësministrja Edona Maloku, nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë uroi fillimin e Seminarit, duke e përmendur traditën e gjatë të Seminarit që ka nisur nga viti 1974. Gjithashtu, ajo e ka përgëzuar Seminarin për temat e zgjedhura ndër vite.

“Sivjet, bie në sy gërshetimi i bukur i traditës së seminarit me temat që prekin të rejat aktuale si lajmet e rreme e infodemia, që janë bërë më relevante se kurrë në këtë kohë pandemie. Trajtimi i temave të tilla në kuadër të Seminarit ndihmon që të kuptohen më mirë e më thellë mënyrat se si gjuha mund t’i ndajë njerëzit, por edhe të gjejë mënyra se si gjuha mund t’i bashkojë ata”, ka thënë Maloku. Më tutje, ajo ka thënë se përkrahja nga kjo ministri është bërë me kënaqësinë më të madhe.

Kurse, Rektori i Universitetit të Prishtinës, Naser Sahiti, përgëzoi organizatorët dhe bashkëpunëtorët për qëndrueshmërinë e treguar dhe për vazhdueshmërinë e kësaj ngjarjeje të rëndësishme kombëtare.

“Seminari i Gjuhës, Letërsisë dhe i Kulturës Shqiptare paraqet padyshim njërën ndër forumet më të rëndësishme, i cili organizohet për të diskutuar dhe promovuar aspekte të veçanta që e karakterizojnë gjuhën, letërsinë, kulturë tonë dhe albanologjinë në përgjithësi”, ka thënë ai.

Po ashtu, Dekania e Fakultetit të Filologjisë, Lindita Rugova i ka falënderuar pjesëmarrësit dhe seminaristët që kanë marrë rrugën për Prishtinë në këtë periudhë të paqëndrueshme për shëndetin publik dhe e ka theksuar rëndësinë e Seminarit për albanologjinë.

“Institucioni i Seminarit është koncepti më i fortë i ndërkombëtarizimit të albanologjisë në botë, është prezantimi më me vlerë i shkencës vendore vështruar nga një kënd global, por edhe prezantim i shkencës globale për albanologjinë brenda një mediumi të përbashkët”.

Ajo nuk ka lënë pa i përmendur miqësitë mes studiuesish, shkëmbimet e studentëve dhe bashkëpunimin mes Tiranës dhe Prishtinës. Rugova i ka përgëzuar gjeneratat e reja, duke mos harruar kontributin e albanologëve të tjerë.

Drejtori i Seminarit të sivjetmë, profesor Shkumbin Munishi, e ka theksuar organizimin e këtij Seminari në një kohë të jashtëzakonshme, i organizuar në kohë rekorde, që do të duhej të mbahej në tetor të 2020-ës, por shkaku i situatës me pandemi ishte anuluar.

“Sivjet po bëhen 47 vjet që kur ka filluar organizimi i Seminarit. Janë 47 vjet histori dhe traditë e padiskutueshme që e bëjnë Seminarin të veçantë dhe të patejkaluar jo vetëm në hapësirat ballkanike, por edhe më gjerë”, është shprehur Munishi.

Tutje ai e ka falënderuar rektoratin e Universitetin e Prishtinës që e ka mbështetur Seminarin në këto rrethana. Dhe në fund e ka shpallur të hapur zyrtarisht edicionin e 39-të të Seminarit  XXXIX Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare.

Këtë vit punimet e këtij Seminari do të mbahen nga 23 deri më 3 shtator.