Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare

27 Tetor 2020
SHARE

 Të nderuar kolegë, pjesëmarrës, mysafirë dhe miq të Seminarit,


Meqenëse një pjesë e drejtuesve të Seminarit kanë rezultuar positivë me Covid-19 dhe një pjesë tjetër janë në vetizolim duke pritur rezultatet e testeve, Këshilli Drejtues në pajtim me bashkëdrejtorinë e Tiranës ka marrë vendim që edicioni i Seminarit 39 për Gjuhën, Letërsisë dhe Kulturën Shqiptare të shtyhet për një kohë të pacaktuar.

Situata e rënduar e ditëve të fundit dhe shtimi i infeksioneve në vendin tonë, por edhe në tërë Evropën e ka bërë pothuaj të pamundur mbajtjen e këtij edicioni në këtë kohë.

Ne kemi insistuar në vazhdimësi që përkundër vështirësive të shkaktuara nga pandemia e virusit korona, të bëjmë çmos që Seminari të mos ketë shkëputje as në këtë vit të rëndë dhe të kontribuojë në njëfarë mënyre në mosndaljen e veprimtarisë shkencore edhe në këto kushte të rënda të pandemisë. Situatan e përmirësuar në Kosovë në muajin shtator dhe në fillim të tetorit na dha kurajo se do të mund ta mbajmë edicionin duke respektuar masat mbrojtëse ndaj pandemisë. Në këtë kuadër, kemi bërë përpjekje maksimale që edicioni i sivjetëm të mbahet me çdo kusht, sepse kemi qenë të bindur se studiuesit e albanologjisë kanë nevojë që t’i shpalosin të arriturat e tyre shkencore edhe gjatë këtij viti të rëndë. Prandaj, kemi finalizuar programin dhe kemi bërë të gjitha përgatitjet logjistike për ta filluar edicionin e sivjetëm në datat e publikuara më parë, por zhvillimet e fundit e kanë bërë të pamundur një gjë të tillë.

Në fund, ju falënderojmë shumë për mirëkuptimin tuaj dhe për mbështetjen që kemi pasur nga ju të gjithë në angazhimet tona për ta vazhduar traditën e gjatë të Seminarit.


Këshilli Drejtues i Seminarit