Hapja solemne e Seminarit XXXVII për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare

    Hapja solemne e Seminarit XXXVII për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare Sot në ambientet e Fakultetit të Filologjisë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, është bërë hapja solemne e punimeve të Seminarit XXXVII Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare.


    Në këtë solemnitet ishin të pranishëm: Ramush Haradinaj, kryeministër; Lindita Rugova, dekane e Fakultetit të Filologjisë; Lindita Nikolla, ministre e Arsimit e Republikës së Shqipërisë; Sabri Laçi, dekan i Fakultetit Histori – Filologji në Universitetin e Tiranës, ambasadorë, akademikë dhe seminaristë.

    Ceremoninë e hapi dekania e Fakultetit të Filologjisë, Lindita Rugova, e cila tha se pas 36 edicioneve të mbajtura, ky Seminar prapë mbetet forumi më gjithëpërfshirës i studimit shkencor dhe i mësimit të gjuhës, letërsisë dhe të kulturës shqiptare.

    “Një rrugëtim i vështirë, me shumë peripeci, por gjithnjë në kërkim të ngritjes dhe avancimit të dijes, në kërkim të forcimit të bashkëpunimit ndërakademik dhe në kërkim të promovimit të vlerave tona në botë; një tubim i lartë shkencor dhe kulturor, që ka arritur të shndërrohet në një institucion të rëndësishëm ndërkombëtar dhe me impakt të lartë në avancimin e shkencës dhe të kulturës, në zbërthimin e gërshetimit të gjuhëve e të kulturave të ndryshme me shqipen dhe avancimin e studimeve gjuhësore, letrare dhe kulturore të shqipes në shumë qendra botërore universitare. Falë miqve tanë, seminaristëve, albanologjia vazhdon të studiohet dhe të mësohet gjithandej në botë.”- ka thënë dekanja.

    Dekania Rugova, po ashtu, njoftoi se pas indeksimit në platformën CEEOL me seli në Frankfurt am Mein, në Gjermani, në korrik të këtij viti, revista e Seminarit e ka kaluar pozitivisht me sukses edhe recensionin e jashtëm të platformës EBSCO dhe gjatë vitit të ardhshëm akademik do të vendoset në një nga projektet e tyre botuese, gjë që nënkupton indeksim të plotë në EBSCO.

    Në një fjalë rasti, kryeministri, Ramush Haradinaj, tha se Seminari i 37-të i Albanologjisë, shënon një moment të posaçëm për kombin shqiptar, pasi që në kohëra të errëta të kombit, ky seminar ka shpërndarë një dritë të shqipes në botë. Kryeministri Haradinaj me këtë rast falënderoi të gjithë studiuesit e deritanishëm për kontributin e tyre.
     “Në kohëra të errëta të jetës sonë, në kohëra të rënda, një dritë është shkrepur nga këtu, një dritë e shqipes në botë dhe atë jo nga vetë ne, por nga ata që kanë ardhur të njohin prej më afër dhe të transmetojnë shqipen e shqiptarët te popujt e tjerë. Nuk është kohë e lëvdatave të mëdha, meqenëse shqipja dhe shqiptarët kanë vështirësitë e veta, qoftë si gjuhë, qoftë si komb, por një gjë nuk ka ndryshuar. Jemi vlerë universale, i takojmë këtij globi. Gjuha jonë është prej më të hershmëve në botë dhe si e tillë e meriton që sa më shumë të njihet në botë.”

    Ministrja e Arsimit e Shqipërisë, Lindita Nikolla, tha se albanologjia ka luajtur një rol të vyer në konsolidimin e kombit shqiptar dhe se është përgjegjësi e Kosovës dhe Shqipërisë të mbështesin ngjarje të tilla.
    “Gjuha shqipe fatmirësisht nuk hyn në gjuhët e rrezikuara të Evropës, për të cilat BE-ja ndan fonde, por edhe pse kjo është e mirë, na takon neve, qeverive të dy vendeve tona, Kosovës dhe Shqipërisë, që t’ju mbështesim ju, të jemi krah jush, për të mësuar seminare të tilla të standardeve të larta. Unë jam shumë e lumtur që kësaj nisme të Fakultetit të Filologjisë, i është bashkuar edhe Universiteti i Tiranës.”

    Ceremoninë e mbylli drejtori i Seminarit, Rrahman Paçarizi, i cili ka thënë se në 44-vjetorin e themelimit, Seminari i ka përmbushur në tërësi objektivat e veta të themelimit.
    “Seminari është ambasadori i parë dhe më i suksesshëm i Kosovës, pasi nëpër të kaluan të gjithë studiuesit më seriozë të albanologjisë, të cilët hapën katedra të shqipes në universitete anembanë botës dhe vazhduan të kultivojnë bashkëpunimin me këtë institucion.” Ai më tutje ka thënë se, në fund të mandatit të tij 4-vjeçar, nuk shqetësohet për të ardhmen e Seminarit, pasi atë nuk e mbajnë ata, por studiuesit me punën e tyre dhe sidomos seminaristët e huaj me entuziazmin për të mësuar e njohur gjuhën, letërsinë dhe kulturën shqiptare.

    Përndryshe, punimet e këtij Seminari do të mbahen gjatë 20 – 31 gusht.


    39585485_567759973643172_1797991945692250112_n.jpg


     

Arkiva e lajmeve

«maj»
MaEnPrShDi
2930 12345
6789 101112
13141516171819
20212223242526
272829303112
3456789